Gjykata Evropiane thotë se ligji rus për “agjentët e huaj” shkel të drejtat e njeriut

16:12 | 22 Tetor 2024
Q L

Në një vendim historik, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tha se ligji i Rusisë për “agjentët e huaj” shkel Konventën evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shuar se ligji është “arbitrar” dhe “përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme”.

Rasti u dërgua në gjykatë nga 107 paditës, përfshirë organizata të mëdha mediale, sikurse Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (Radio Svoboda), dhe organizata për të drejtat e njeriut, si Memorial.

Në vendimin e gjykatës më 22 tetor u tha se ligji për “agjentët e huaj” vendos “kufizime të ashpra” ndaj aktiviteteve të paditësve dhe gjeti se cilësimi i tyre si “agjentë të huaj” përbën “frikësim”.

“Gjykata gjeti se legjislacioni që aplikohet aktualisht është stigmatizues, mashtrues dhe përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme. Kjo bëri që gjykata të vjen në përfundim se qëllimi i ligjit është të ndëshkojë dhe frikësojë, e jo të adresojë ndonjë pretendim për nevojën për transparencë apo shqetësime legjitime lidhur me sigurinë kombëtare”, u tha në vendim.

Ligji rus, që u prezantua më 2012 dhe u zgjerua më 2022, u kërkon organizatave që pranojnë fonde nga jashtë që të regjistrohen si “agjentë të huaj”, duke i nënshtruar ato ndaj kërkesave të ashpra të raportimit, auditimit dhe kërkesave të tjera.

Paditësit kanë argumentuar se ligji është pjesë e një fushate sistematike për të shtypur kritikën ndaj Qeverisë dhe për të kufizuar punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediave të pavarura.

Gjykata tha se në opinionin publik në Rusi, termi “agjentë të huaj” asocion me “tradhtarë” dhe “spiunë”, duke stigmatizuar organizatat dhe individët që cilësohen si të tillë. Gjykata po ashtu gjeti se publikimi i të dhënave personale të paditësve dhe kërkesat për raportimin e detajuar të financave të tyre përbën shkelje të të drejtës së tyre për privatësi.

Sipas ligjit, Shërbimi Rus i Radios Evropa e Lirë është dënuar me mbi 16 milionë euro për shkak të dështimit që të respektojë ligjin. Ky shërbim është një ndër subjektet më të gjobitura në mesin e grupit që dorëzuan padinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Autoritetet ruse intensifikuan zbatimin e këtij ligji, duke konfiskuar llogaritë bankare të REL-it dhe duke bllokuar ueb-faqen pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka urdhëruar Rusinë që t’i paguajë Shërbimit Rus të REL-it 60.000 mijë euro kompensim për kostot dhe 950.000 euro për dëmet.

Gjykata po ashtu kritikoi shpërbërjen e organizatave të njohura sikurse Memorial dhe Lëvizja për të Drejtat e Njeriut, nën pretekstin se kanë shkelur rregullat për “agjentët e huaj”. Ligjet ruse kanë kufizuar jo vetëm aktivitetet e tyre publike, por edhe pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dhe qasjen në mbështetjen shtetërore.

Pavarësisht se është përjashtuar nga Këshilli i Evropës më 2022 pasi nisjes së luftës kundër Ukrainës, Rusia ende obligohet që të respektojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për rastet që datojnë para se ajo të përjashtohej nga Këshilli.

Megjithatë pasi u përjashtua, Moska ka miratuar ligje që pamundësojnë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane, duke ndërlikuar edhe më shumë ndikimin e këtij vendimi.

Radio Evropa e Lirë është zotuar se do të vazhdojë punën e saj, pavarësisht represionit rus. REL-i është detyruar ta mbyllë byronë në Moskë më 2022 dhe shumë nga gazetarët e tij janë shpallur “agjentë të huaj”.

Më 2023, një gjykatë në Moskë shpalli falimentimin e Shërbimit Rus të REL-it, megjithatë kjo media vazhdon të ofrojë lajme nga jashtë shtetit për miliona qytetarë rusë dhe mban pavarësinë editoriale, teksa financohet nga Kongresi amerikan./rel/

Të ngjashme