Presidentja e KE-së Von der Leyen nesër në Tiranë, takim me Ramën

15:25 | 22 Tetor 2024
E.K

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të vizitojë Tiranën pasditen e nesërme, 23 tetor 2024.

Sipas axhendës zyrtare të publikuar nga Kryeministria, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen pritet të mbërrijë në Kryeministri në orën 15:00, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.

Pas takimit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Rreth orës 17:00, Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së Kampusit të Kolegjit të Europës.

Ky është i pari kampus që hap dyert jashtë një vendi të Bashkimit Europian.

Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik./atsh

Të ngjashme