Google ADS

Avokati i Thaçit- Gecit: Po i shmangesh pyetjes dhe po i bën bisht përgjigjes

11:01 | 22 Tetor 2024
E.K

Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, derisa po e merrte në pyetje dëshmitarin Fadil Geci, i tha atij se po e kupton pyetjen, por që po i bën bisht përgjigjes së tij.

Këtë gjë, Mishetiq e tha kur dëshmitarin e pyeti lidhur me një deklaratë që ai e kishte dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar një javë më parë sa i takon pjesës që sipas tij, ai nuk e ka konsideruar veten si pjesë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë kam thënë që nuk e konsideroj veten pjesë të LPK-së e jo UÇK-së se UÇK-ja është e shenjtë e gjithë shqiptarisë-pjesë e asaj që i kam kontribu ma së shumti unë me familje e me shqiptarë të ndershëm gjithkah”, tha Geci fillimisht.

Dëshmitari mohoi se ka thënë një gjë të tillë për ZPS-në, pasi theksoi ai ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Unë nuk kam qenë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të LPK-së që e ka quajt veten UÇK”, tha Geci, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë nën komandën e Thaçit, Zyrapit ose personave të tjerë nga Shtabi i Përgjithshëm.

“A i the javën që shkoi Prokurorisë që një person që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes do të mendonte se ishit ushtarë të UÇK-së”, pyeti Mishetiq, duke kërkuar përgjigje me ‘po ose ‘jo’.

Ndërsa, Geci gjatë përgjigjes së tij deshi që të bënte sqarime sa i takon kësaj pjese.

“Nuk ka pas asnjë përçarje. 99% një vend i UÇK-së deri sa kanë ardhë na kanë… në mbrojtje të institucioneve”, tha Geci.

Më pas, Mishetiq vazhdoi duke i thënë se ‘besoj që e kupton pyetjet që jam duke të bërë, por po i shmangesh dhe po i bën bisht përgjigjes”. Avokati vijoi duke i thënë se po e përsëritë për herë të tretë pyetjen e tij.

“Edhe gjyqtari edhe të gjithë ju këtu nuk po më kuptoni se çka po them, ishim unik. Një kemi qenë e s’kemi qenë tjerë derisa janë ardhë e na kanë përça këta prej Zvicre”, tha Geci.

Më pas ndërhyri gjykatësi Charles Smith III, duke i thënë dëshmitarit se detyra e tij është që t’i përgjigjet pyetjeve dhe një gjë të tillë nuk është duke e bërë.

“Në ketë rast është e domosdoshme që t’i përgjigjesh me po apo jo. A ia ke thënë këtë ZPS-së, kjo është pyetja dhe t’i mund të përgjigjesh me ‘po ose jo’. Kjo është detyrim për ty. Përgjigju që të vazhdojmë më tejë”, tha kryegjyqtari.

Ai shtoi se në këtë moment duhet t’iu përgjigjet pyetjeve që i bën avokati dhe në rast që më vonë dëshiron që ZPS-ja të bëjë pyetje sqaruese, atëherë do ta kenë mundësinë.

“Po më duket që nuk po i jepet kuptimi me ‘po’ dh e ’jo’ po met mangu. I nderuar gjyqtar po jet mangu dhe po i hupet kuptimi krejt”, tha Geci tutje.

Smith tha se është gabim dhe se kjo pyetje kërkon një përgjigje konkrete. Ndërsa, dëshmitari pohoi se një gjë të tillë e kishte thënë por që kuptimi ishte tjetër.

Tutje, dëshmitari Geci tha se nuk ka qenë i pranishëm kur delegacioni i politikanëve ka qenë në Qirez.

Ai u pyet për një libër që thuhet se e ka shkruar vëllai i tij, e që fliste për një urdhërarrest që e ka lëshuar Sylejman Selimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

“Nuk kam njohuri. Këtë e thotë vetëm ai që ka thanë. Ai vjen këtu edhe pyetni”, tha Geci.

Dëshmitari tha se për komunikatën 59, vëllai i tij Ganiu ishte informuar nga Milaim Zeka. Për këtë të fundit, dëshmitari tha se është nip i Llaushës, por asgjë të afërt nuk ka më atë. Tha se Zeka ishte i afërt me personat që sot gjykohen në Hagë, duke shtuar se edhe vetë gazetari ishte marksist-leninist.

Të ngjashme