Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot gjatë mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, se goditjet e fundit që po i bëhen opozitës duhet të shërbejnë si një thirrje për t’u përballur dhëmb për dhëmb me pushtetin.
“Këto zhvillime, pavarësisht nga unikaliteti i tyre, nga dramaticiteti i tyre për çdo opozitare dhe opozitar, për çdo demokrate dhe demokrat, për të gjithë ne janë një kushtrim, janë një thirrje për t’u përballur dhëmb për dhëmb me këtë organizatë kriminale që kryesohet nga Edi Rama dhe bandat e tij në institucionet shtetërore”, deklaroi Berisha.
Berisha deklaroi se Rama i shpalli luftë opozitës dhe se aksioni opozitar kërkon vazhdimin intensiv të betejës.
“Ne e nisëm këtë betejë, ne nuk prisnim. Edi Rama na shpalli luftë, ne i përgjigjemi. Por kjo betejë kërkon vazhdimin intensiv të saj. Kjo betejë kërkon udhëheqje nga ana juaj, të demokrateve, demokratëve dhe mbështetësve tanë në një mosbindje civile për të shpëtuar këtë vend”, u shpreh kreu i PD-së.
Para syve, para kamerave, publikut shqiptar dhe të botës, vijoi ai, ndodhin akte të cilat edhe në diktaturë nuk ishin kaq publike.
“Qëllimi i tyre kryesor është të frikësojnë qytetarët. Detyra jonë është t’i inkurajojmë, t’u japim zemër, të dalim vetë në krye, të japim shembullin tonë. Të paguajmë çdo çmim, të gatshëm për çdo çmim dhe t’i japim përgjigjen e merituar këtij regjimi”, deklaroi Berisha.
Ai u kërkoi demokratëve të ngrihen me të gjitha mjetet e mosbindjes civile.
“Këto skena kaq publike janë thirrje për ne, thirrje për guximin tonë, janë thirrje për qytetarët: Të ngrihemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Prova e përgjithshme ishte e shkëlqyer. Fati i Shqipërisë varet nga vazhdimi i saj. Opozita duhet të bëjë atë që nuk e ka bërë gjer sot, të udhëheqë me guxim, të udhëheqë me vendosmëri”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri njoftoi se protesta e radhës e PD do të jetë më 29 tetor.
Prandaj shtoi Berisha, “më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për paralizën e plotë të këtij regjimi. Ftojmë qytetarët të bashkohen me ne.”
“Unë u them qytetarëve, se në këtë betejë secili duhet të sakrifikojë diçka, secili edhe mund të humbasë diçka, por pas fitores së saj fiton shumë herë më tepër.”, shtoi Berisha
“Ndaj dhe, le të ngrihemi të gjithë dhe pas datës 29, data tjetër është shumë e afërt, gjer sa të kalojmë në formën e pandërprerë të kësaj qëndrese. Unë kam bindjen më të thellë, se asgjë nuk mund t’i rezistojë zemërimit tonë. Të mos harrojmë, të jemi të gatshëm, secili nga ne të paguajë çmim për guximin tonë.”, thekson Berisha.
Ai mbylli fjalën, duke theksuar se “koha nuk është e fjalëve. Koha është e veprimit.”
“zotërinj, drejtues të PD kërkohet përkushtim i juaji më i madh jetës suaj. T’u prijmë qytetarëve, t’u prijmë demokrateve e demokratëve në këtë betejë vendimtare.”, mbylli fjalën e tij Berisha./atsh
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...