Rama fton të rinjtë “kurajozë” në PS: Politika, një rrugë gjarpëruese për guximtarët

20:12 | 21 Tetor 2024
E.G

Partia Socialiste është në hapat për të kryer një “transfuzion” të kapitalit të vet njerëzor, që t’i sigurojë vazhdimësinë e pushtetit për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Në prezantimin e të rinjve, që synojnë të zënë një vend në parlament nga viti 2025, kryeministri Edi Rama tha se rivitalizimi i Partisë do të jetë një proces jo i lehtë për t’u kryer.

“Kam një besim të konsiderueshëm te ky proces, sepse është pjesë e një zinxhiri jo të shkurtër për ta hapur Partinë Socialiste, për ta zgjeruar hapësirën e ndërveprimit, për ta bërë Partinë Socialiste një mjet në funksion të qëllimeve të përbashkëta. Kjo nuk është e lehtë!

Duhet ta dini që kush merr përsipër të hyjë në rrugën e politikës nuk hyn në një rrugë të shtruar, të drejtë, as në një rrugë që është e sheshtë. Hyn në një rrugë që është si ato shtigjet gjarpëruese që herë shkojnë lart e herë poshtë, herë ndërpriten nga pengesat, herë bëhen të rrëshqitshme, herë të bëjnë të thuash ‘më mirë të kthehem’. Ajo që ti konsideron të drejtë në raport me veten duke parë të tjerët është një e drejtë që vetëm ti mund ta nxjerrësh dukjen nëse ke forcën t’i rezistosh asaj rruge gjarpëruese.

Kjo është gjithashtu një rrugë për guximtarët. Kjo është gara. Kjo është një eksperiencë që ia vlen,” u shpreh z. Rama.

Në aktivitetin për nismën “Deputeti që duam”, kreu i qeverisë komentoi mandatet e njëpasnjëshme të fituara nga socialistët. Ai tha se ambicia për Shqipërinë, jo për pushtetin, nuk i ka reshtur.

“Ne e kemi shumë të rëndësishëm këtë proces, sepse ka ardhur ky moment në historinë e pasdiktaturës kur një gjeneratë e dytë, në nivelin udhëheqës të Partisë Socialiste, do fillojnë t’i bëjnë vend një gjenerate të tretë.

Ju e keni dëgjuar kur thonë ‘janë shumë tre mandate’. Pse janë shumë?! Jo në vende diktatoriale, por në vende shumë demokratike të Europës, ka pasur parti që kanë bërë historinë duke qëndruar 30 vite, 40, 50 vjet në pushtet. Nuk po them që kështu do të ndodhë, por PS duhet të qëndrojë në krye të detyrës. Kjo nuk është ambicie për pushtet, por ambicie për Shqipërinë dhe pushteti duhet për këtë ambicie.

Nga ana tjetër, sipas meje, politika është shpikja më e jashtëzakonshme që njeriu ka bërë nga nevoja për t’u mbrojtur nga kaosi, për të vendosur ca rregulla, për të bashkëpunuar, dhe hap pas hapi për të krijuar shtetin si një organizëm garancish dhe për të filluar e imagjinuar të drejtat dhe liritë e tij.

Politika ka bërë gjëra të tmerrshme. Politika ka pjellë mostra, nazizmin, totalitarizmin komunist e plot inkuizicione, por politika ka bërë edhe të gjitha ato gjëra për të cilat individi dhe shoqëritë jetojnë në standarde krejt të tjera nga ato që kanë pasur,” shtoi z. Rama.

Duke u ndalur te lajmi i javës së kaluar, për afrimin e Shqipërisë për negocim në tryezat e BE-së, kryeministri tha se anëtarësimi është maja që ai synon të arrijë deri në vitin 2030.

“Shqipëria sot është në tryezë e ulur duke negociuar me Bashkimin Europian. Këtu po krijohet një kapital njerëzor, që do na duhet për të gjitha ato sfida që kemi përpara, për majën ku do ta ngjisim Shqipërinë, që për mua është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Me çeljen ne e kemi çuar Shqipërinë në një stad tjetër. 2030 është një horizont që përmbyll këtë fazë,” përfundoi kryeministri Rama.

/rtsh.al/

Të ngjashme