Pajtohen Kadare e Qosja

10:07 | 17 Janar 2016
Arbresh.info

Mes tyre kemi dëgjuar jo pak herë të debatojnë me tone të ashpra. Për këtë herë akademiku është përgjigjur me tone miqësore, duke vlerësuar Kadarenë si shkrimtar dhe zbutur përgjigjen për përplasjet ideore mes tyre.

Profesor Qosja ishte ftuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës për të folur mbi temën “Çështja shqiptare dhe Europa e Bashkuar”.

Pas ligjëratës, studentët e kanë “detyruar” ndër të tjera t’i përgjigjet pyetjes rreth marrëdhënieve me Kadarenë, nominuar prej vitesh për çmimin Nobel, meqë pak ditë më parë mediat e Kosovës shpërndanë lajmin se Rexhep Qose është propozuar nga Unioni i Shkrimtarëve të Kosovës për çmimin Nobel.

“Dy herë keni polemizuar me Kadarenë, – i thanë studentët profesor Qoses: herën e parë në fillim të viteve ’70, në temën “letërsia shqipe dhe letërsia europiane”, ndërsa herën e dytë “Europa dhe identiteti shqiptar”.

“Dy herë Europa u bë sherr mes jush!”, i janë drejtuar studentët Qoses.

Qose është shprehur se: “Ismail Kadare, është shkrimtar me talent të shquar dhe si i tillë ka të drejtë që në mendimet e tij të shprehë dëshirat e tij; unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete. Për çështjet që kemi diskutuar me Kadarenë unë kam folur si studiues, ndërsa ai si shkrimtar. Ai bazohet në imagjinatën, ndërsa unë në të dhënat.

Por, e ka përfunduar fjalën e tij profesor Rexhep Qosja, “ata që polemizojnë mes veti, shumë herë, janë njerëz që e duan njëri-tjetrin”. Këtë vit dy kolosët e letrave shqipe mbushin 80 vjeç. /Dita

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme