Eurodeputetët e komisionit BE-Shqipëri vizitë tre ditore në Tiranë, takim me Ramën dhe Spiropalin

13:34 | 18 Tetor 2024
E.K

Anëtarët e Parlamentit Europian, anëtarë të komisionit BE-Shqipëri, do të zhvillojnë në 29 tetor një vizitë në Tiranë.

Burime të Top Channel thanë se ata do të takohen me Kryeministrin i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetaren e Parlamentit, Elisa Spiropali.

Mësohet se pjesë e këtij delegacioni nga Strasburgu do të jetë edhe eurodeputeti grek, Fredi Beleri, ish kandidat i opozitës në bashkinë e Himarës, i dënuar për korrupsion në zgjedhje.

Lajmin e kanë raportuar gjithashtu edhe mediat greke. To Vima e shikon këtë takim si një fitore të diplomacisë greke ku vihet theksi te kushtet e Athinës që rruga e anëtarësimit të Tiranës zyrtare kalon përmes të drejtave të minoritetit grek

Sapo anëtarët e Komisionit të mbërrijnë në Tiranë, Komisioni do të informohet nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, i cili po merr pjesë në bisedimet e anëtarësimit BE-Shqipëri.

Menjëherë pas kësaj vijon takimi me Edi Ramën, i cili është parashikuar të zgjasë 45 minuta. Më pas do të ketë takime me përfaqësues të partive shqiptare dhe një drekë nga ambasadori e BE-së në Shqipëri në Shtëpinë Europiane, në rrugën Papa Gjon Pali. Menjëherë pas saj, do ketë një takimi me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe në ditët në vijim diskutime me komisionin e përbashkët BE-Shqipëri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme