1 në 4 njerëz braktisin rajonin, Banka Botërore: Shqipëria të fokusohet në kthimin e emigrantëve

17:25 | 17 Tetor 2024
E.H

Performanca e mirë e turizmit, sektorit të ndërtimit por dhe rritjes së konsumit ka bërë që Shqipëria të ketë një ecuri të qëndrueshme të rritjes ekonomike drejt parashikimit 3.3% në 2024.

Banka Botërore e konfirmon ecurinë në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor teksa thekson se në vijueshmërinë e këtij vrulli Shqipëria të fokusohet në kthimin e emigrantëve

“Çfarë ne shohim në analizat e emigracionit është që të krijohen mundësi që njerëzit që kanë ikur të kthehen për Shqipërinë. Të bëhen aktiv ekonomikisht për lidhjen e ekonomisë me diasporën. Mendoj se mund të bëjmë më shumë në këtë drejtim”, shprehet Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, shkruan A2.

Teksa 1 në 4 qytetarë të Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit, Banka Botërore vjen me një sërë rekomandimesh për zgjidhjen e fenomenit të emigracionit.

Zhvillimi i programeve të trajnimit në bashkëpunim me vendet pritëse të emigrantëve, mbrojtja e emigrantëve, lehtësira në transferimin e kapitalit për diasporën dhe përmirësimi i mjeteve digjitale në funksion të tyre janë pikat ku këto shtete përfshirë Shqipërinë duhet të përqendrohen.

“Shohim që migracioni është një temë kryesore për vendet e BP dhe shohim që do të vazhdojë. Arsyet që emigrojnë janë politikat emigracionit, ribashkimi familjar, pakënaqësia me cilësinë e sistemit të arsimit dh shëndetësisë dhe korrupsioni. Diaspora mund të kanalizojë kursimet ndërkombëtare, të transferojë njohuri dhe të lidh ekonominë me rrjetet globale të biznesit. Rikthimi i shqiptarëve mund të ndihmojë në punësimin dhe rritjen e pagave”, thotë Angela Montfaucon, ekonomiste e Bankës Botërore.

Ndalur në tregues të tjerë ekonomik, Banka Botërore i përshkruan pozitivisht rritjen e punësimit, uljen e varfërisë dhe inflacionin nën objektiv. Ndërsa për skemën e pensioneve sugjeron vendosjen e një pensioni të mjaftueshëm për qytetarët përfitues.

“Rekomandimet tona janë të fokusuara te balanca midis mjaftueshmërisë dhe qëndrueshmërisë. Jemi pjesë e këtij dialogu dhe shpresojmë që rekomandimet të jenë pjesë në këtë rishikim”, thotë Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Në sajë edhe të procesit për integrimin në BE, Banka Botërore rekomandon për ruajtjen e rritjes ekonomike edhe ndërmarrjen e reformave strukturore përfshirë ato në Planin e rritjes së BE.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme