Google ADS

Kandidati për guvernator në Karolinën e Veriut padit rrjetin CNN për shpifje

11:15 | 16 Tetor 2024
Q L

Kandidati republikan për postin e guvernatorit në Karolinën e Veriut, Mark Robinson, ngriti padi të martën kundër rrjetit CNN lidhur me lajmin e muajit të kaluar se ai kishte bërë postime të theksuara racore dhe seksuale në një rrjet mesazhesh të një faqeje pornografike, duke e quajtur lajmin të pamatur dhe shpifje.

Padia në Gjykatën e Lartë të Qarkut Wake, vjen më pak se katër javë pas lajmit që bëri që shumë zyrtarë dhe kandidatë të zgjedhur republikanë, përfshirë kandidatin për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, të distancoheshin nga fushata e zotit Robinson për postin e guvernatorit.

Zoti Robinson, i cili bëri të ditur ngritjen e padisë në një konferencë shtypi në qytetin Raleigh me një avokat nga shteti Virxhinia, ka hedhur poshtë lajmin e rrjetit CNN se ai qëndron pas mesazheve në fjalë.

Rrjeti CNN “vendosi ta publikonte lajmin pavarësisht se e dine ose shpërfilli në mënyrë të pamatur që të dhënat e zv/guvernatorit Robinson, përfshirë emrin, datën e lindjes, fjalëkalimet dhe adresat e emalit që supozohet se ishin të lidhura me llogarinë në faqen pornografike, ishin komprometuar në sulme të mëparshme nga hakerët”, thuhet në aktpadi.

Zoti Robinson, i cili do të bëhej guvernatori i parë zezak në Karolinën e Veriut nëse zgjidhet, e quajti raportimin e rrjetit CNN një “linçim të teknologjisë së lartë” ndaj një kandidati “i cili është vënë në shënjestër që nga dita e parë nga njerëz që nuk pajtohen politikisht dhe duan ta shkatërrojnë”. Rrjeti CNN nuk pranoi të komentonte të martën, tha zëdhënësja Emily Kuhn përmes një emali.

Lajmi i rrjetit CNN, i publikuar më 19 shtator, thoshte se zoti Robinson postoi deklarata më shumë se një dekadë më parë në kanalin e mesazheve të një faqeje pornografike, ku ai e quan veten “nazist zezak”, se i pëlqen pornografia transgjinore dhe e preferonte Hitlerin më shumë se Barack Obamën dhe e kishte kritikuar ashpër udhëheqësin e ndjerë të të drejtave civile, Martin Luther King Jr.

Rrjeti CNN njoftoi se ka identifikuar detajet e llogarisë në faqen pornografike me llogari të tjera në internet të zotit Robinson, duke e krahasuar emrin e përdoruesit, një adresë të njohur emali dhe emrin e tij të plotë.

Lajmi i kanalit CNN thotë se detajet e shkruara nga përdoruesi i llogarisë përputheshin me moshën e zotit Robinson, kohëzgjatjen e martesës dhe të dhëna të tjera biografike. Po ashtu krahasoi frazat e përdorura nga ai në rrjetin Twitter me shprehjet e postuara nga llogaria në faqen pornografike.

Sondazhet pas lajmit të publikuar nga rrjeti CNN tregonin për një epërsi të rivalit demokrat Josh Stein, aktualisht prokuror i përgjithshëm.

Padia, e cila kërkon të paktën 50 milionë dollarë si dëmshpërblim, thotë se përpjekja kundër zotit Robinson “duket të jetë një sulm i koordinuar që synon të dëmtojë fushatën e tij për guvernator”. Aktpadia nuk ofron asnjë provë që rrjeti CNN apo individë të tjerë të kenë planifikuar me grupe të jashtme për të krijuar ato që zoti Robinson pretendon se janë deklarata të rreme.

Në gjykatat e Karolinës së Veriut, një zyrtar publik që ngre akuza për shpifje duhet ta provojë se i akuzuari e dinte se deklarata ishte e rreme ose nuk mori parasysh pavërtetësinë e saj.

Zoti Robinson, 56 vjeçar, u zgjodh në postin e zv/guvernatorit në vitin 2020. Ai thotë se kaloi fëmijëri të varfër dhe ka bërë punë, por që më vonë janë mbyllur, për të cilat ai fajëson Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA).

Fjalimi i tij katërminutësh në Këshillin Bashkiak të Greensboro-s, duke mbrojtur të drejtat e armëmbajtjes dhe ankuar për “demonizimin” e punonjësve të policisë u bë viral. Ky fjalim i siguroi atij një pozitë në bordin e Shoqatës Kombëtare të Armëve dhe popullaritet mes votuesve konservatorë./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme