Google ADS

Programi i MCC-së përfshinë gratë në sektorin e energjisë në Kosovë

22:27 | 15 Tetor 2024
E.H

Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit hapi sot në Prishtinë programin “Energji për Barazi” nëpërmjet të cilit synohet përfshirja dhe fuqizimi i grave në sektorin e energjisë në Kosovë.

Projekti është pjesë e marrëveshjes së programit ‘kompakt’ të nënshkruar në vitin 2022 ndëmrjet Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit dhe Kosovës, përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sektori i energjisë që tradicionalisht ka qenë i dominuar nga burrat është duke përjetuar ndryshime të mëdha por gratë tha ajo, vazhdojnë të mbesin të nënpërfaqësuara.

“Në kohën kur e kemi dizajnuar programin kompakt vlerësimet kanë qenë që vetëm 9 për qind e fuqisë punëtore në sektorin e energjisë kanë qenë gra dhe kjo ka qenë pikënisje për dizajnimin e kësaj komponente të rëndësishme. Mirëpo gjithashtu ka qenë arsyeja që për herë të parë në strategjinë e energjisë 2022 – 2031 e kemi vendosur rritjen e përqindjes së grave në sektorin e energjisë si një prej objektivave kryesore ku deri në vitin 2031 synojmë që nga 9 për qind sa ka qenë baza ta rrisim në së paku 25 për qind”, tha Rizvanolli.

Në Kosovë sipas të dhënave zyrtare gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. Prandaj përfshirja e tyre në sektorë të ndryshëm dhe në përgjithësi përfshirja e tyre në arsimim dhe punësim është kërkesë e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile.

Programi “Energji për Barazi” do të përqendrohet në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore, posaçërisht grave, nëpërmjet subvencionimit të punës praktike, mentorimit, bursave si dhe mbështetjes financiare të kompanive që zbatojnë barazinë gjinore në punësim.

Florina Duli Sefaj nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se aktualisht përfshirja e grave në sektorin e energjisë është rreth 15 për qind duke theksuar nevojën për angazhim më të madh në zbutjen e kësaj mungese të baraspeshës.

“Ky dallim është edhe më i theksuar në kompanitë publike ku përfaqësimi i grave është më i ultë se në sektorin privat. Shumë gra tejkalohen kur bëhet fjalë për ngritjen e tyre në pozita udhëheqëse dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së talentit, përkushtimit ose punës por për shkak të barrierave të vendosura strukturore dhe kulturore”, tha Duli Sefaj.

Kevin Mitchell, drejtor menaxhues për operacione në Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit tha se vendet nuk mund të jenë të suksesshme pa qenë të suksesshme gratë.

“Përgjatë viteve MCC-ja ka fituar një përvojë domethënëse në këtë fushë dhe mezi presim të ndajmë këtë përvojë me partnerët në Kosovë dhe t’i mbështesim ata në këtë rrugëtim të zbatimit të këtij programi. Jam i bindur se aktivitetet që po publikojmë sot do t’u japin njerëzve në Kosovë, posaçërisht grave, mjetet, burimet dhe aftësitë e nevojshme për të përparuar në punësimin e tyre në sektorin e energjisë”, tha ai.

Programi ‘kompakt’ përfshin një periudhë kohore prej pesë vjetësh dhe synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të ulur varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

Në vitin 2022 kjo korporatë përmbylli projektin “Gratë në Energji” nëpërmjet të cilit 26 vajza janë shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e energjisë, 235 të tjera kanë përfituar punë praktike në këtë sektor dhe më shumë se 400 gra ndërmarrëse kanë përfituar mbështetje teknike dhe grante./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme