Korsitë e dedikuara për autobusët, Rama tregon për reformë e re në Trafikun Urban

14:35 | 15 Tetor 2024
E.G

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe kompaninë ndërkombëtare ARUP, synohet një reformë gjithëpërfshirëse që do të modernizojë sistemin e transportit publik.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se kjo reformë përfshin disa aspekte kyçe, duke filluar me krijimin e një rrjeti të ri të trafikut urban që do të përmirësojë aksesin dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët, shkruan Arbresh.info.

Prioritet do të jetë zhvillimi i korsive të dedikuara për autobusët, duke garantuar një lëvizje më të shpejtë dhe të sigurt.

Po ashtu, do të implementohet një model i avancuar biletash, si dhe do të krijohen nyje transitore për lidhje më të mira ndërmjet linjave.

Një tjetër komponent i rëndësishëm i kësaj reforme është digjitalizimi i plotë i sistemit, që do të mundësojë informacione në kohë reale dhe lehtësi në përdorimin e shërbimeve.

Përveç kësaj, reforma do të ndërlidhet ngushtë me konceptin e Smart City, duke sjellë inovacione që do të përmirësojnë jetesën në kryeqytet./Arbresh.info/

Të ngjashme