Google ADS

Arrestohen 15 persona për trafikim të klandestinës në Tiranë

12:03 | 15 Tetor 2024
Q L

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka dhënë detaje nga operacioni në Tiranë ku u vendosën në pranga 15 persona të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.

Në prononcimin e tij, ai tha se emigrantët futen në Shqipëri pa dokumente, ndërsa deklaroi se nxirren në kufijtë e Kosovës dhe Malit të Zi nga grupet e trafikantëve që u marrin pagesa të mëdha.

“Jam sot këtu, së bashku me zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e një procedimi penal të vitit 2023 dhe finalizimin e operacionit policor të koduar “DAMASK”.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafiqeve të paligjshme, ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal nr. 5431, viti 2023.

Pas një hetimi 12-mujor, në kuadër të këtij procedimi është bërë i mundur individualizimi i përgjegjësisë penale për 24 subjekte të këtij procedimi penal. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas.

Gjatë fazës finale të operacionit janë arrestuar 15 shtetas, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane.

Gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Janë shpallur në kërkim 4 shtetas. Sipas informacioneve që disponojmë, 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.

Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni janë sekusetruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.

Shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në RSH nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

Gjatë hetimit është dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm së shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë përdorur veprime stimuluese si dhe teknika të posaçme hetimore me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Po kështu, në fazën finale të operacionit është bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, Durrës, Shkodër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Gjej rastin të falënderoj publikisht Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, për profesionalizimin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij hetimi. Po kështu falënderojmë publikisht Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” për mbështetjen që i kanë dhënë këtij hetimi gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij.

Gjithashtu dua të falënderoj Prokurorin Z. Ritvan Suka dhe drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Z. Arenc Çela, për drejtimin dhe kontrollin e vazhdueshëm të këtij hetimin.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është dhe mbetet e angazhuar maksimalisht për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e të gjitha veprimtarive kriminale në çdo formë të shfaqjes së tyre./tch/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme