Me Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, në sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë, po vazhdojnë provat për organizimin e Festivalit të Dytë të Këngës së Radio Televizionit të Kosovës, i cili do të mbahet me datat 24, 25 dhe 26 tetor.
Gjatë tri netëve të festivalit do të garojnë 18 këngëtarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Lidhur me përgatitjet foli për Radio Kosovën drejtori artistik i Festivalit, Florent Boshnjaku.
Me shumë entuziazëm dhe energji, në sallën e Ateliesë në Pallatin e Rinisë, po vazhdojnë provat për festivalin e dytë të këngës së Radio Televizionit të Kosovës. Drejtori artistik i këtij Festivali, Florent Boshnjaku, tha se “Në këtë festival do të marrin pjesë edhe këngëtarë, të cilët do ta shkelin skenën për herë të parë.”
“Normalisht që ka sfida të ndryshme, mirëpo gjithsesi kur ke shumë profesionistë afër, është kënaqësi dhe nder të punosh me ta. Jam i lumtur që çdo gjë deri tani ka shkuar siç ka hije dhe sipas planit. Kemi këngëtarë që veç kanë përvojë, janë në skenën muzikore, mirëpo kemi dhe këngëtarë të rinj që do ta shkelin skenën për herë të parë”, ka thënë për Radio Kosovën Boshnjaku.
Kompozitori nga Shqipëria, Alfred Kaçinari, po punon për herë të dytë për festivalin e këngës së RTK-së. Ai tha se përveç këngëtarëve, për të është shumë me rëndësi orkestra.
“Çdo gjë po ecën normalisht. Florent Boshnjaku, që është drejtor artistik, ka bërë një plan pune dhe jemi qetësisht duke e respektuar atë plan. Sigurisht për publikun janë këngëtarët, por për mua është më e rëndësishme orkestra”, u shpreh Kaçinari.
Dirigjentja Lindita Isufi, thotë se është shumë më rëndësi që përkushtimi të jetë i plotë për përgatitjen e këtij festivali.
“Është privilegj, por dhe një punë që duhet të ketë përkushtim të madh për të sjellë talent të rinj në këtë skenë të madhe”, tha Isufi.
“Fundosu në dritë”, është titulli i këngës së Ardita Begut, e cila për Radio Kosovën tha se është privilegj të marrë pjesë në Festivalin e Këngës së RTK-së.
“Jam shumë e privilegjuar dhe e lumtur që jam pjesë e këtij festivali. Është kënaqësi të punoj me një trupë, siç është Orkestra e Filarmonisë së Kosovës”, tha Begu.
Edicioni i Dytë të Festivalit të Këngës së Radio Televizionit të Kosovës do të zgjasë tri ditë, me 24, 25 dhe 26 tetor./rtk/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?