Një sulm ajror izraelit e goditi një ndërtesë banimi në veri të Libanit të hënën, duke i vrarë së paku 18 njerëz, tha Kryqi i Kuq i Libanit.
Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende lajmin dhe nuk është e qartë se kush ishte në shënjestër të këtij sulmi.
Sulmi goditi një ndërtesë të vogël banimi në fshatin Aito, shumë lart bastioneve kryesore të grupit militant Hezbollah në jug dhe lindje të vendit.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ushtria izraelite sulmet në Liban i ka përqendruar deri tani në jug, në Luginën Beka në lindje dhe në rrethinat e Bejrutit.
Izraeli i urdhëroi të hënën banorët e 25 fshatrave të evakuohen nga pjesët veriore të lumit Avali, i cili rrjedh përgjatë Libanit jugor.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas, në fillim të luftës në Gaza.
Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – kreu një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz.
Në javët e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.100 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 54 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./rel
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...