Google ADS

Nga bashkë-avokat në konsulent, ndryshime në ekipin mbrojtës të Thaçit

11:02 | 14 Tetor 2024
E.G

Peter McCloskey i cili mbante pozitën e bashkë-avokatit në ekipin mbrojtës të Hashim Thaçit i ka përfunduar kontrata, kështu që më pas është emëruar si konsulent.

Sipas njoftimit të Administratores së Gjykatës Speciale, më 23 shtator 2024, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq kishte kërkuar përfundimin e kontratës për McCloskey si bashkë-avokat dhe emërimin e tij si konsulent, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 23 shtator 2024, avokati i z. Thaçi, z. Luka Mishetiq, dërgoi një e-mail te Shefi i Zyrës së Mbrojtjes duke kërkuar përfundimin e kontratës së z. McCloskey si Bashkë-Avokat për z. Thaçi dhe emërimin e tij si Konsulent me efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Administratores.

Në të njëjtin dokument thuhet se avokati Mishetiq ka informuar Zyrën e Mbrojtjes së përfundimi i kontratës së bashkë-avokatin nuk do të ketë efekt negativ tek procesi dhe as të klienti i tyre.

“Më 8 tetor 2024, Regjistri konfirmoi përfundimin e kontratës së z. McCloskey si Bashkë-Avokat për z. Thaçi në përputhje me Nenin 18(6) të Udhëzimit për Avokatët dhe e miratoi atë si Konsulent në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Nenit 18(2) dhe (3) të Udhëzimit për Avokatët”, thuhet tutje në këtë dokument.

Ndërsa, tutje thuhet se dokumenti ka edhe një aneks i cili është konfidencial pasi sipas tyre përmban informacione personale që lidhen me avokatin dhe McCloskeyn.

Aktualisht, ekipi mbrojtës i Thaçi përbëhet nga avokati mbrojtës, Luka Mishetiq ndërsa si bashkë-mbrojtës janë: Dastid Pallaska, Pier Rishar Prosper, Sofi Menegon dhe Nina Tavakoli.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Të ngjashme