Një sulm me dronë i kryer nga Hezbollahu në një bazë ushtarake në Izraelin qendror ka vrarë katër ushtarë dhe ka lënë të plagosur shtatë të tjerë të dielën, më 13 tetor, tha ushtria izraelite. Ky është sulmi më vdekjeprurës i kryer nga grupi militant libanez që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban dy javë më parë.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Hezbollahu tha se sulmi afër qytetit Binjamina ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore izraelite në Bejrut më 10 tetor, kur u vranë 22 persona. Më vonë, grupi tha se kishte shënjestruar brigadën elite Golani të Izraelit, duke lëshuar dhjetëra raketa, teksa paralelisht kishte kryer sulme me dronë.
Shërbimi kombëtar i shpëtimit në Izraeli tha se gjatë sulmit janë plagosur 61 persona. Për shkak të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore që ka Izraeli, është e rrallë që kaq shumë njerëz të plagosen gjatë sulmeve me dronë apo raketa.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore që një vit, që kur ka nisur lufta në Gazë. Por, luftime së fundi janë përshkallëzuar.
Izraeli nisi një operacion tokësor në Liban më herët gjatë këtij muaji, me qëllim që të dobësojë Hezbollahun dhe të dëbojë grupin militant nga kufiri, me qëllim që të mund të kthehen në shtëpitë e tyre mijëra izraelitë të zhvendosur.
Sulmi vdekjeprurës i Hezbollahut në Izrael u krye në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë në Izrael një sistem të ri të mbrojtjes ajrore, për të ndihmuar Izraelin që të forcojë mbrojtjen kundër sulmeve me raketa. Megjithatë, ushtria izraelite nuk pranoi të tregonte se kur do të pranonte këtë sistem të ri kundërajror.
Izraeli po lufton me Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë dhe me Hezbollahun në Liban – dy grupe që mbështeten nga Irani – dhe pritet që të sulmojë Iranin në shenjë hakmarrjeje për një sulm raketor të kryer nga Teherani ndaj Izraelit më herët gjatë këtij muaji. Irani ka thënë se do të përgjigjet ndaj çdo sulmi izraelit./rel
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...