FFK do të dorëzojë ankesë në UEFA pas thirjeve anti-Kosovë, të tifozëve serbë dhe çek

19:10 | 13 Tetor 2024
D.H

Koret raciste ndaj shtetit të Kosovës, banderolat anti-Kosovë, nuk po ndalen tashmë dhe janë bërë të tepërta në ndeshjet e shteteve të cilat nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.

Fyerje ndaj shqiptareve, paraqitje të shtetit Republikë si shtet të Serbisë ka pasur edhe në ndeshjen e fundit të Çekisë ndaj Shqipërisë si dhe në ndeshjen e shtetit serb ndaj Zvicrës, shkruan Arbresh.info.

Sa i përket gjithë këtyre, Federata e Futbollit të Kosovës ka dal me një reagim.

FFK ka dënuar ashpër gjitha këto ngjarje të fundit si dhe ka bërë të ditur se ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, për ngjarjet në të dyja ndeshjet.

“Federata e Futbollit të Kosovës dënon ashpër shfaqjen e banderolave me hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim” si dhe thirrjet kundër Kosovës dhe shqiptarëve që u dëgjuan gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Serbi-Zvicër dhe Çeki-Shqipëri.

Këto akte të papranueshme, e të cilat po ndodhin në vazhdimësi nga tifozë serbë dhe tifozë të disa vendeve tjera që janë të afërta me grupet e tilla serbe, nuk kanë vend në futboll dhe në asnjë arenë sportive, pasi përhapin urrejtje dhe përçarje mes popujsh e shtetesh.

Rikujtojmë se incidentet e tilla janë në kundërshtim të plotë me vlerat që UEFA dhe komuniteti ndërkombëtar i futbollit përfaqësojnë. Futbolli duhet të shërbejë si platformë e fuqishme për promovimin e paqes, bashkëjetesës dhe vlerave të barazisë kudo.

FFK, si anëtare e barabartë me federatat e shteteve tjera, ka përgatitur ankesën zyrtare për në UEFA, me dëshmitë e të gjitha shkeljeve e ofendimeve që u bën ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme për të dënuar në mënyrë sa më të ashpër skenat e tilla dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre në të ardhmen.

Stadiumet e futbollit duhet të shërbejnë si arena spektakli për tifozët e mirëfilltë e jo si vend për të shpërfaqur irredentizëm, racizëm e ofendime të llojllojshme.

FFK mbetet besnike e promovimit të vlerave, respektit e solidaritetit në sport dhe do të angazhohet në çdo nivel që të sigurojë se këto akte do të dënohen nga mekanizmat e futbollit ndërkombëtar”, shkruhet në reagimin e FFK-së.

Kujtojmë se edhe në ndeshjen Qipro – Rumani të luajtur mbrëmë në kuadër të Ligës së Kombeve, tifozët e këtyre dy kombëtareve kënduan kore raciste ndaj Kosovës./Arbresh.info

 

Të ngjashme