Vendi i fundit me shumicë myslimane që njohu Kosovën si shtet, ishte Bangladeshi, në vitin 2017.
Pavarësinë e saj – të shpallur më 2008 – e njohin pak më shumë se gjysma e 57 vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila e përshkruan veten si “zë i përbashkët i botës myslimane”. Mes tyre prijnë Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithatë, shumë të tjera – si Indonezia me mbi 275 milionë banorë apo Irani me mbi 88 milionë – nuk e njohin.
Rel kontaktoi ministritë e Jashtme të këtyre dy vendeve, ashtu si edhe atë të Tunizisë, Irakut dhe Sirisë, për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar qëndrimin për Kosovën, por nuk mori përgjigje.
Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj interesimit për aktivitetet e saj lobuese në këto vende.
Në një intervistë dhënë gazetës Arab News në vitin 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “gabim i madh” që disa vende me shumicë myslimane refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet.
“Mendoj se ato janë keqinformuar nga Serbia. Disa prej tyre e mbajnë atë qëndrim edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me Federatën Ruse. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të botës që – për hir të paqes afatgjate, sigurisë së qëndrueshme dhe njohjes së të drejtave të njerëzve për liri dhe vetëvendosje – ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti për Arab News.
Kosova ka mbi 1.5 milion banorë me shumicë myslimane, por me Kushtetutë është shtet laik.
Pavarësisht mbështetjes së disa prej shteteve më të mëdha dhe më me ndikim në botë, Kosova nuk është ende pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe njihet vetëm nga pak më shumë se 100 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, thotë se hezitimi i shumë vendeve me shumicë myslimane për ta njohur Kosovën, buron nga një ndërthurje komplekse e ndikimeve gjeopolitike dhe aleancave historike.
Në mesin e tyre, ai përmend në mënyrë të veçantë Iranin, për të cilin thotë se ka lidhje të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe se është i prirë të ndjekë narrativë antiperëndimorë. Si i tillë, ai ka ndikim edhe në shtete si Siria, Libani e Iraku.
“Pastaj, janë dhe shtete si Maroku dhe Palestina, që kanë lidhje të veçanta me Serbinë, për shkak të problemeve të brendshme që kanë me rajone të caktuara dhe lidhjeve historike që ka krijuar ish-Jugosllavia me to”, thotë Visoka.
“Pra, kemi të bëjmë pak me perceptimin e Kosovës si një projekt perëndimor ose amerikan, dhe pjesërisht me trashëgiminë e Jugosllavisë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore”, thotë ai.
Michael Bishku, profesor i Historisë në Universitetin Augusta, thotë se qëndrimi i disa shteteve mosnjohëse të Kosovës lidhet edhe me frikën e tyre se pavarësia e saj mund të krijojë precedentë, por edhe me presionin e Rusisë – aleates kryesore të Serbisë në skenën ndërkombëtare.
“Nuk mendoj se Irani do ta njohë Kosovën, sepse ai shkon në hap me Rusinë. Ato dy vende janë mjaft të lidhura. Irani e ndihmon Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Disa vende të tjera mund ta shqyrtojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës në të ardhmen, por Irani jo”, thotë Bishku.
Për Visokën, sinjale të mira te shumë vende me shumicë myslimane nuk kanë dërguar as disa veprime të Kosovës, përfshirë vendimin e saj për të krijuar marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe për të hapur ambasadën në Jerusalem.
“Statusi i Jerusalemit është i kontestuar dhe ka një konsensus ndërkombëtar që status quo-ja e tij të mos ndryshojë, derisa të gjendet një zgjidhje e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Kosova ka shkuar një hap tutje dhe ka marrë anë në këtë kontest dhe kështu është perceptuar si akt jomiqësor nga vendet arabe”, thotë Visoka.
Kosova hapi ambasadën në Jerusalem në vitin 2021, pas një marrëveshjeje me Serbinë, të arritur në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi atëkohë u kundërshtua nga Liga Arabe, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi si “fatkeq”.
Visoka thotë se Kosova, nga frika e stigmatizimit ose perceptimit si vend islamik, ka anashkaluar nevojën për të pasur marrëdhënie të mira me shumë vende joperëndimore.
“Në raport me Jerusalemin dhe Palestinën, Kosova ka hapësirë të jetë më eksplicite, të marrë qëndrimin e BE-së sa u përket zhvillimeve në Gazë, në Liban dhe të mos bëjë asgjë më shumë”.
“Por, Kosova ka qenë gati e njëanshme deri tani – ajo i ka dënuar sulmet e 7 tetorit të vitit të kaluar [në Izrael] dhe ka qenë kryesisht e heshtur ndaj krimeve dhe dhunës ndaj civilëve palestinezë”, thotë Visoka.
Sipas tij, Kosova duhet të krijojë një politikë të jashtme më parimore dhe më të balancuar, e cila do të dërgonte sinjale te vendet që nuk e kanë njohur, se ajo nuk është kundër botës arabe apo interesave të tyre..
Autoriteti palestinez, i cili me dekada lufton kundër pushtimit nga Izraeli, nuk e njeh Kosovën, dhe ish-udhëheqësi palestinez, Yasser Arafat, është kritikuar për lidhje të ngushta me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq.
Bishku dyshon se shumë vende me shumicë myslimane janë mirë të informuara për Kosovën dhe kontekstin historik të pavarësisë së saj.
“Palestinezët janë të zemëruar dhe pyeten përse vendet perëndimore nuk brengosen shumë për njohjen e shtetit palestinez, aq sa për Kosovën”, thotë Bishku.
Me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, gjatë vitit të kaluar, Kosova, në disa raste, ka shprehur mbështetje për Izraelin.
Kur Irani ka sulmuar shtetin izraelit më 1 tetor, kryeministri Kurti ka shkruar në X se Kosova mbështet të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, si dhe të gjitha përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm.
Për analistët, Kosova nuk e ka luksin të marrë anë ose të jetë rajonale në politikën e jashtme, derisa nuk siguron njohje më universale.
Visoka pranon se ndërveprimi me vende si Siria, që kanë regjim autoritar ose gjysmë-autoritar, mund t’i kushtojë Kosovës në imazhin e saj perëndimor, por thotë se me një lobim të heshtur dhe të koncentruar, vendet mosnjohëse mund t’i ndryshojnë pozicionet.
Në atë rast, përfitimet për Kosovën do të ishin të mëdha, sipas tij.
“Përveç thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik, kulturor dhe ushtarak, këto vende kanë votë në OKB dhe do të ishin kyçe për avancimin e Kosovës si shtet sovran brenda OKB-së. Anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave të anëtareve të tyre dhe blloku i vendeve arabe ose myslimane është i fuqishëm”, thotë Visoka.
Bishku pajtohet. Në rast të një solidarizimi më të madh të vendeve me shumicë myslimane, Kosova do të mund të bëhej edhe anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, thotë ai.
“Shqipëria është anëtare prej shumë kohësh. Në rast të anëtarësimit, edhe Kosova do të mund të merrte ndihmë financiare, e cila do të ishte e dobishme. Por, për aq kohë sa nuk ka solidaritet në këtë organizatë, është vështirë të thuhet se kur mund të ndodhë kjo”, thotë Bishku.
Turqia, e cila vetë e ka njohur Kosovën vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, u ka bërë disa herë thirrje vendeve me shumicë myslimane që ta ndjekin shembullin e saj.
Vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ëshë zotuar para tre vjetësh se do të punojë për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës.
U pyet Ambasadën turke në Prishtinë për aktivitetet lobuese të Ankarasë, por nuk mori përgjigje.
Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli në shkurt të vitit 2021.
Sido që të jetë, në një botë ku aleancat dhe partneritetet kanë rëndësi, Kosova do të duhej ta kishte kuptuar se pranimi i saj kërkon më shumë sesa, thjesht, një vullnet të mirë – ndoshta një diplomaci më serioze dhe një grimcë finese më shumë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...