Google ADS

Vulin: Serbia nuk do ta përmbushë kurrë pritjen e BE-së, njohjen e Kosovës

21:28 | 12 Tetor 2024
R J

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Ai ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta përmbushë pritjen kryesore evropiane, njohjen e pavarësisë së Kosovës, shkruajnë mediat në serbe.

“Kur fillova të zhvilloj negociata teknike me BE-në dhe kur njoha BE-në nga brenda, u bëra një euroskeptik. Figurat kryesore atje nuk janë të ndershëm. Ata nuk kanë një qëndrim të ndershëm kur bëhet fjalë për anëtarësimin”, ka thënë Vulin për Berliner Zeitung, përpara samitit që do të mbahet në dhjetëvjetorin e konferencës së parë të Ballkanit Perëndimor në Berlin.

Sipas tij, Serbia ka pritur njëmbëdhjetë vjet që BE-ja ta përmbushë premtimin e saj, të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Nga ana tjetër, sipas tij, ndërmjetësuesit nga BE-ja po i thonë Serbisë se nëse nuk i prish marrëdhëniet me Rusinë, nuk do të hyjë në BE.

I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin ka thënë se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.

“Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: ‘Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t’u jepen disa të drejta’. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse nuk vlen kur bëhet fjalë për Serbinë?”, ka theksuar Vulin për Berliner Zeitung, raportojnë mediat serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme