Krasniqi: PDK-ja nuk do të rri duarkryq derisa ushtarët tanë po nëpërkëmbën

14:01 | 12 Tetor 2024
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar për letrën që gjenerali Bashkim Jashari i ka dërguar Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit lidhur me shqetësimet e shumta që kanë të bëjnë me shërbimet ushqimore, në FSK.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Qeveria për të disatën herë po e dëshmon se ushtrinë e do vetëm për propagandë dhe fotografi.

“Letra e Gjeneralit Bashkim Jashari dërguar Ministrit të Mbrojtjes lidhur me shqetësimet e shumta që kanë të bëjnë me shërbimet ushqimore, mungesën e personelit dhe problemet sanitare, shpërfaqë një gjendje alaramante në ushtrinë tonë e cila kërkon trajtim emergjent nga ana e shtetit. Fatkeqësisht, ajo që është e thirrur për t’a trajtuar seriozisht këtë çështje, Qeveria, moti ka abstenuar nga obligimet e saj karshi ushtarëve tanë. Kjo Qeveri, për të disatën herë po e dëshmon se ushtrinë e do vetëm për propagandë dhe fotografi – e nuk i intereson aspak mirëqenia dhe shëndeti i vajzave dhe djemve që me përkushtim i shërbejnë ditë dhe natë atdheut”, shkroi Krasniqi.

Ai shton se PDK-ja, nuk do të qëndrojë duarkryq derisa ushtarët tanë po nëpërkëmbën në këtë mënyrë.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq derisa ushtarët tanë po nëpërkëmbën në këtë mënyrë. Në Kuvend dhe në çdo instancë tjetër, do të kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie të plotë nga qeveria. Për ushtarët tanë, të cilëve përmes keqmenaxhimit qeveritar po u cënohet morali dhe krenaria, kam vetëm një lutje: mos u dëshpëroni! Angazhimi juaj është boshti i shtetit tonë. Jemi bashkë në këtë sfidë!”, shkroi Krasniqi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme