Osmani kërkon takim me Jasharin dhe Maqedoncin për çështjen e shujtave të FSK-së

11:37 | 12 Tetor 2024
E.K

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në lidhje me furnizimin me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ajo ka kërkuar menjëherë një raport të detajuar nga komandanti i FSK-së.

Këtë ka konfirmuar për Arbresh.info, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani,

Kupina gjithashtu njoftoi se presidentja ka ftuar në takim komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për të diskutuar më në detaje këtë çështje.

Ai theksoi se presidentja ka propozuar një program shtetëror për mbështetje shumëdimensionale të FSK-së, që do të ndihmonte në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të ushtarëve dhe motivimin e tyre.

Njoftimi i plotë:

Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci.

Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.

Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre. Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament.

Programi 7-pikësh përfshinë këto elemente:
1. Pagesa e shtesave në paga për rrezikshmëri.
2. Pagesa e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit.
3. Pagesa e mëditjeve për pjestarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj).
4. Sigurimi shëndetesor.
5. Funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe tercial mjekësor.
6. Përmirësimi i cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare.
7. Sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre.
8. Krijimi i fondit kreditues për ushtarakët.

Realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror.
Përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund t’ju japim më shumë detaje lidhur me këtë çështje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme