Sezoni turistik në Shqipëri me shumë incidente për turistët dhe pa udhërrëfyes lokalë

19:17 | 10 Tetor 2024
Q L

Sezoni turistik i këtij viti në Shqipëri ka shënuar një numër të lartë rastesh ku turistë të huaj janë bllokuar në zona malore, kanione lumore apo hapësira detare duke rrezikuar jetën e tyre.

Sipas të dhënave të policisë shqiptare nga qershori deri në shtator të këtij viti, kur në Shqipëri shënohet edhe pruja më e lartë turistike, janë shfaqur 80 raste ku u është dhënë ndihma përmes operacioneve të shpëtimit turistëve të mbetur të izoluar.

Një rast në Malin e Jezercës, në alpet shqiptare, ka rezultuar me humbjen e jetës së një turisti bullgar 32 vjeçar , i cili sipas policisë dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, rrëshqiti nga një lartësi dhe mori dëmtime fatale për jetën.

Sipas policisë shqiptare numri më i lartë i incidenteve me turistët është shënuar gjatë muajit korrik ku në 22 raste në zona turistike malore, kanione dhe hapësira detare, u është dhënë ndihmë 55 turistëve.

Shumica prej turistëve kanë humbur orientimin dhe kanë mbetur të izoluar për shkak të terrrenit malor, ndërsa një pjesë tjetër më e vogël, sipas policisë, rrezikonin të mbyteshin në det për shkak të defekteve në mjetet lundruese dhe dallgëve të mëdha.

Në shumicën e rasteve siaps ekipeve të shpëtimit turistëve u është dhënë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve trupore apo qëndrimit për disa ditë në zona malore pa ujë dhe ushqim.

Gjatë muajit shtator Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë që funksionon në kuadër të Federatës Shqiptare të Alpinizmit ndërmori disa operacione kërkimi për dy raste të humbjes së turistëve të huaj njëri nga Lituania dhe tjetri nga Belgjika.

Sipas Federatës Shqiptare të Alpinizmit kërkimet në zonën malore të Valbonës kanë rezultuar deri tani pa gjurmë të personave të humbur.

Në Shqipëri këtë vit nuk është shënuar asnjë ngjarje kriminale e qëllimshme, ndaj jetës së turistëve të huaj, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar, por në një numër të lartë aksidentesh rrugore gjatë sezonit turistik është raportuar nga policia se kanë mbetur viktima edhe turistë të huaj.

Specialistë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që administrojnë disa nga Parqet Kombëtare të vendit vlerësojnë se shumica e incidenteve me turistët e huaj vjen pasi ata nuk marrin udhërrëfyes lokalë në itinerare të panjohuar dhe të rrezikshme, sidomos në Alpet shqiptare.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes tha se këtë vit 12 pjesëtarë të Kompanisë së Kërkim Shpëtimit të Mbrojtjes Civile përfunduan një kurs stërvitor malor në Kosovë për të përballuar sfidat e ndërhyrjeve në terrene të vështira në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes për periudhën janar-shtator Qendra Kombëtare e Kërkim Shpëtimit zhvilloi 5operacione të koordinuara në nivel kombëtar me 24 turistë të shpëtuar, 14 prej të cilëve të huaj.

Gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave jo zyrtare 16 turistë të huaj humbën jetën nga janari në shtator në Shqipëri./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme