Avancohet statusi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi

15:18 | 10 Tetor 2024
E.K

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka arritur të fitojë statusin e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave pas kërkesës zyrtare dhe lobimeve të vazhdueshme.

Ky është quajtur sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm për Agjencinë si një institucion i pavarur, por edhe për Republikën e Kosovës.

“Anëtarësimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi si vëzhguese në aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave ofron qasje të drejtpërdrejtë në informacionet dhe standardet më të avancuara të mbrojtjes së të dhënave, duke mundësuar kështu harmonizimin e politikave të AIP-së me standardet evropiane”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e agjencisë.

Sipas tyre, ky status përmirëson kapacitetet vendore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për partneritete të reja me autoritetet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“ Përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e EDPB-së, AIP do të ketë mundësi të kontribuojë në diskutimet globale mbi politikën e mbrojtjes së privatësisë dhe zhvillimin e udhëzimeve të reja, duke ndikuar kështu në hartimin e politikave që do të ndihmojnë edhe në forcimin e besimit për sigurinë e të dhënave karshi investitorëve të huaj”.

Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave është një organ i pavarur që siguron zbatimin e harmonizuar të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Roli kryesor i tij është të promovojë një qasje të përbashkët në zbatimin e GDPR-së, të lëshojë udhëzime dhe opinione detyruese, të vendosë standarde të përbashkëta për autoritetet kombëtare dhe të zgjidhë çështje ndërkufitare që përfshijnë përpunimin e të dhënave./rtk

Të ngjashme