Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të nisë një turne në kryeqytetet e aleateve evropiane, teksa synon të sigurojë më shumë mbështetje financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Ndërkohë, vendi i tij vazhdon të përballet me sulme ditore prej Rusisë dhe me një ofensivë ruse në lindje, që po shënon përparim.
Zelensky do të nisë udhëtimin të enjten në Londër, ku do të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Këto takime do të zhvillohen një ditë pasi samiti i mbështetësve të Ukrainës në bazën Ramstein, është anuluar pak para se të niste.
Zyra për media e Zelenskyt ka thënë se ai do t’i nisë negociatat “me partnerët kyçë, nga të cilët varet forca jonë”.
Një zëdhënës i Starmerit u ka thënë gazetarëve se kryeministri do të “ritheksojë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, teksa përballet me agresionin rus”.
Lideri ukrainas pritet të zhvillojë takime edhe në Paris, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, më pas do të udhëtojë në Romë, për t’u takuar me kryeministren italiane, Geogria Meloni, me Papa Françeskun në Vatikan, dhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin.
Zelensky i ka sytë edhe te Shtetet e Bashkuara, prej ku synon të fitojë sa më shumë përkrahje, para zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në nëntor.
SHBA-ja është mbështetësja kryesore e Ukrainës dhe kontribuuesja më e madhe, ndonëse një fitore e kandidatit republikan, Donald Trump, mund të ndryshojë situatën në Uashington.
Më 9 tetor, Zelensky ka marrë pjesë në një samit me liderë të Ballkanit në Kroaci, në të cilin ka folur për rëndësinë e unitetit evropian për një paqe të qëndrueshme.
“Askujt në Evropë nuk duhet rikujtuar sa e rëndësishme është paqja, sidomos këtu në Ballkan. Ajo që ndodh këtu në Ballkan, dhe çfarë ndodh në Ukrainë, në një mënyrë e përcakton stabilitetin e gjithë Evropës”, ka thënë Zelensky.
Pjesëmarrësit e samitit e kanë miratuar një deklaratë që dënon luftën e Rusisë në Ukrainë, mbështesin përpjekjet e Zelenskyt për paqe, anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe rindërtimin e shtetit pas luftës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel
Bislimi: Kosova ka njohur progres ekonomik dhe demokratik, p...
Dardanet do t’i zhvillojnë dy miqësore me Estoninë në Prisht...
Xheneta ia pren Gjestit: Deri në momenti që nuk i thërret tr...
Rama: Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës Bilçë-Drobon...
Kurti dhe Vitia nesër do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Fa...
Policia kërkon ndihmën e një gruaje për vjedhje të stolive t...