Kasanof sot viziton Kosovën

07:25 | 10 Tetor 2024
E.H

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof sot qëndron për vizitë në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se do të ketë takim.

“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit këtu në Prishtinë. Ju e dini se ai është në vend të Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexandër Kasanof besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë mund të presim prej tij, besoj se duhet të kemi durim për 24 orë”, ka deklaruar Kurti.

Gjatë vizitës në Kosovë, emisari amerikan do të takohet me presidenten Vjosa Osmani e përfaqësues të partive politike në vend.

Të mërkurën, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi në Beograd. Ai u takua presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Pas takimit Vuçiq ka theksuar se ka biseduar për situatën në rajon me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

“Kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Sipas tij, për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme