Kurti takoi kreun e Bashkësisë Islame të Luginës, flasin rreth promovimit të harmonisë ndërfetare

18:30 | 9 Tetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Ademi.

Përgjatë bashkëbisedimit të tyre, u trajtua rritja e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit shqiptar të besimit islam në Preshevë dhe institucioneve tona, duke prekur aspektet fetare, kulturore dhe edukative, shkruan Arbresh.info.

“U diskutua rreth sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar e fetar, dhe promovimit të harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike në rajon. Kryeministri Kurti shprehu mbështetjen e tij e përkrahjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët ballafaqohen vazhdimisht me politikat shtypëse dhe diskriminuese të regjimit të Beogradit zyrtar.”, thuhet në njoftim.

Më tej, ai shprehu se qeveria jonë është e para e cila ka investuar e realizuar restaurime të xhamive në vend e treguar vëmendjen e saj ndaj të gjitha komuniteteve fetare. Kryeministri nënvizoi edhe bashkëpunimin e punën e frytshme të kësaj bashkësie, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ushtrimit të lirë të fesë dhe avokimit për çështjet kombëtare./Arbresh.info/

Të ngjashme