Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka anuluar një vizitë që pritej ta bënte në Pentagon të mërkurën, tha Pentagoni, pasi mediat izraelite raportuan se Kryeministri Benjamin Netanyahu dëshironte së pari të fliste me Presidentin amerikan Joe Biden.
Anulimi i befasishëm i vizitës të martën vjen mes tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Iranit ndërsa Izraeli po shqyrton opsionet për t’iu përgjigjur sulmit raketor të Teheranit javën e kaluar. Sulmi iranian me raketa balistike ndaj Izraelit ishte i dyti brenda këtij viti.
Pentagoni nuk pranoi të jepte hollësi mbi arsyet e anulimit të vizitës nga zoti Gallant, duke thënë se për këtë gazetarët mund t’i drejtoheshin Ministrisë izraelite të Mbrojtjes. Zyra e Kryeministrit Netanyahu dhe ajo e ministrit Gallant nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
“Sapo u informuam se ministri Gallant do të shtyjë udhëtimin e tij në Uashington”, tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh në një konferencë për shtypin.
Gazeta izraelite “Ynet” raportoi se zoti Gallant kishte shpresuar se vizita e tij në Shtetet e Bashkuara do të forconte koordinimin për përgjigjen ndaj Iranit, por disa orë para nisjes, Kryeministri Netanyahu vendosi dy parakushte: një bisedë në telefon me Presidentin Biden dhe miratimin nga kabineti të përgjigjes ndaj Iranit.
Kur u pyet për anulimin e vizitës së zotit Gallant, Shtëpia e Bardhë tha se për këtë gazetarët duhet të pyesin qeverinë izraelite. Presidenti Biden dhe ndihmësit e tij kanë shqyrtuar mundësinë e një telefonate me Kryeministrin Netanyahu që nga fundi i shtatorit. Por Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje nëse një telefonatë e tillë tashmë është planifikuar.
Presidenti Biden tha të premten se mendonte se Izraeli nuk kishte arritur ende në përfundimin se si duhej t’i përgjigjej Iranit dhe shtoi se ai do të shqyrtonte mundësinë e goditjes së rafinerive iraniane të naftës nëse do të ishte në vendin e Izraelit.
Irani të martën paralajmëroi Izraelin kundër sulmeve hakmarrëse.
Ministri i Jashtëm iranian tha se çdo sulm ndaj infrastrukturës së Iranit do të merrte një përgjigje. Ndërkohë një zyrtar i lartë iranian u tha shteteve të Gjirit se do ta konsideronte “të papranueshëm” dhe do të merrte masa ndaj tyre nëse ato lejojnë që hapësira e tyre ajrore të përdoret për sulme kundër Iranit.
Fuqitë perëndimore po kërkojnë një zgjidhje diplomatike nga frika se konflikti do të mund të zgjerohej në zona të tjera të Lindjes së Mesme, një rajon me burime të mëdha të naftës./voa
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek
Stabiliteti në rajon, temë diskutimi mes homologëve Konjufca...
Nis ndërtimi i Parkut Urban në Spitallë, Rama prezanton proj...
“S’na kanë arrestuar akoma”, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton...