Kosova merr notën 2.43 në kujdesin ndaj fëmijëve

17:38 | 8 Tetor 2024
E.G

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka publikuar edicionin e dytë të Raportit të Monitorimit “Karta e Vlerësimit 2023” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve?

Raporti u publikua në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me prezencën e Kryeministrit, Ministres së Drejtësisë, Ministres së Arsimit, Zëvendës Ministrit të Shëndetësisë, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, zyrtarëve të ministrive përkatëse, institucioneve komunale, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.

“Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është monitorimi i pavarur i shoqërisë civile mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve në fushën e mirëqenies sociale, mbrojtjes së fëmijës, shëndetit të fëmijës, zhvillimit në fëmijërinë e hershme, arsimit dhe drejtësisë për të mitur. Vlerësimi i secilës fushë bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Për të gjetura reale dhe gjithëpërfshirëse, ky raport u hartua nga një grup i gjerë bashkë-autorësh, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF dhe vlerësues të jashtëm, të cilët kanë vlerësuar fushat përmes argumenteve konkrete që mbështesin notën e dhënë.”, thuhet në njoftimin

Mirëqenia sociale vlerësohet me notë 2.68. Kosova ka prioritizuar skemat sociale me qëllim sigurimin e mirëqenies sociale të fëmijëve dhe familjeve dhe ka miratuar Ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare. Megjithatë, investimet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim në popullatën e përgjithshme, në zvogëlimin e varfërisë së fëmijëve dhe në garantimin e ofrimit të shërbimeve sociale të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet në nevojë.

Mbrojtja e fëmijës vlerësohet me notë 2.52. Shteti i Kosovës ka miratuar 16 udhëzimet administrative që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe ka themeluar mekanizmat komunal për mbrojtje të fëmijëve në shumicën e komunave të Kosovës. Sidoqoftë, ky ligj ende nuk ka gjetur zbatim. Shërbimet parandaluese dhe programet e prindërimit, shtëpitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe linja telefonike falas për fëmijë nuk janë themeluar akoma, duke e lënë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve të brishtë dhe fragmentuar.

Shëndeti i fëmijës është vlerësuar me notën 2.6. Arritja më e madhe ishte rritja e konsiderueshme e buxhetit për shëndetësinë dhe listën esenciale të barnave. Megjithatë, burimet në dispozicion për shëndetin mendor të fëmijëve në institucionet publike shëndetësore ishin shumë të kufizuara. Po ashtu shërbimet parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët përdorues të drogave mungojnë në masë të madhe.

Zhvillimi në fëmijërinë e hershme është vlerësuar me notën 2.5. Një zhvillim pozitiv ishte miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili pritet të fillojë integrimin e shërbimeve dhe finalizimi dhe pilotimi i Kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Megjithatë, Kosova vazhdon të ketë nivelin më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor krahasuar me shtetet tjera të rajonit.

Arsimi është vlerësuar me notën 2.33. Kosova ka miratuar Politikën për Mbrojtjen e Fëmijëve, ka miratuar disa Udhëzime Administrative për të rritur cilësinë e mësimdhënies, si dhe ka nisur rishikimin e teksteve shkollore. Megjithatë, këto masa ende nuk janë reflektuar në rezultatet e nxënësve, ku kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë për vitin 2023 ishte vetëm 52.1%.

Drejtësia për të mitur është vlerësuar me notën 2. Vihet re themelimi i programeve të reja për të fuqizuar dhe mbështetur të miturit drejt rehabilitimit, aftësimit profesional dhe reintegrimit të suksesshëm tyre. Megjithatë, Qendra Edukative e tipit të hapur nuk bën pranime të drejtpërdrejta sipas vendimit të Gjykatës, por vetëm transferim nga Qendra Korrektuese për të Mitur, në kundërshtim me Kodin e Drejtësisë për të Mitur. Po ashtu gjatë 2023, stafi në Qendrën Edukuese ka rikthyer uniformat policore, prej veshjeve civile të bartura më parë. Situata është problematike edhe për fëmijët në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale, për trajtimin dhe rehabilitimin e të cilëve nuk ka asnjë qendër apo shtëpi të specializuar.

Raporti “Karta e Vlerësimit” është zhvilluar nga KOMF, në kuadër të projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA)./Arbresh.info/ 

Të ngjashme