Google ADS

Kurti: Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner e aleat i fuqishëm i Kosovës

18:26 | 7 Tetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Mediteran në Ministrinë për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), Victoria Billing.

Përgjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner e aleat i fuqishëm i Republikës së Kosovës si dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të saj ndaj shtetit tonë. Ai trajtoi dhe përparimin që ka njohur vendi ynë gjatë qeverisjes sonë, rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës.

Ndër hapat e politikat e ndërmarra nga qeveria, kryeministri përmendi dhe shtesat për fëmijë dhe nënat e reja, arsimin publik falas, rindërtimin e shtëpive për komunitetet joshumicë, rritjen e pensioneve, rritjen e incentivave për punësim e atë veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, investimet në energjinë e gjelbër përmes edhe ankandit solar prej 100 MWh, mbështetja e prodhuesve vendorë dhe bursat për vajzat dhe gratë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Në takim u bisedua dhe rreth intensifikimit të bashkëpunimit tregtar dhe rëndësisë së zgjerimit të mundësive dhe terheqjes së investitorëve britanikë në Kosovë.

Kryeministri Kurti e falënderoi  Billing për takimin dhe bisedën e zhvilluar duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Prezent në takim ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves./Arbresh.info/

Të ngjashme