1 vit nga 7 tetori, a e ka çrrënjosur Izraeli lëvizjen e Hamasit?

15:56 | 7 Tetor 2024
L G

Pas sulmit tronditës të 7 tetorit 2023, qeverisë së Izraelit iu desh të shkonte përtej doktrinës së saj të hakmarrjes dhe të godiste fort për të liruar pengjet dhe për të çrrënjosur Hamasin. A ia ka arritur qëllimit?

Pas muajsh të tërë luftime, në fillim të verës Forcat Mbrojtëse Izraelite morën nën kontroll Korridorin Filadelfi, një aks strategjik që shtrihet përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit, në zonën e Rafahut.

Vendosja e trupave në vijën Filadelfi ka krijuar një lidhje strategjike mes Gazës dhe Libanit jugor, duke nxitur sulmet e lëvizjes Hezbollah. Në të njëjtën kohë, Izraelit i duhet korridori për të ndërprerë rrugët e furnizimit për palestinezët dhe për pastrimin e tuneleve të Hamasit.

I kapur në befasi më 7 tetor 2023, shteti hebre përjetoi një nga sulmet terroriste më fatale në histori dhe pushtimin e parë që nga formimi i territorit kombëtar në 1948n. Grupi militant palestinez sulmoi territorin izraelit nga toka, deti dhe ajri, duke vrarë 1.195 persona, 815 prej të cilëve civilë dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Militantët përdorën varka të shpejta, dronë dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi për të asgjësuar njësitë izraelite përgjatë kufijve të Gazës. Ishte një sulm i shumanshëm, që në këndvështrimin e Izraelit kishte dorën e Iranit.

Të njëjtën ditë, kabineti qeveritar hebraik i dha jetë operacionit “Shpatat e Hekurta”, me synim dëbimin e agresorëve palestinezë nga territori, lirimin e pengjeve dhe objektivin final: asgjësimin e Hamasit.

Kur ka kaluar një vit, mbi 41 mijë palestinezë janë vrarë në luftime, 7 mijë e 500 prej të cilëve fëmijë. Gjithashtu, spitalet, shkollat dhe godinat civile janë shkatërruar dhe 800 ushtarë izraelitë kanë humbur jetën.

Më 31 korrik, me anë të një sulmi në Teheran, Izraeli vrau liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe ndërkohë ka siguruar lirimin e më shumë se 100 pengjeve, me 70 të tjerë që janë vrarë dhe me lëvizjen islamike që nuk është çrrënjosur ende.

Qeveria hebraike është e shqetësuar nga rreziku se Hamasi mund të pushtojë edhe Bregun Perëndimor. Fakti që atje nuk mbahen zgjedhje është tregues i frikës se ekstremistët mund ta marrin zonën nën kontroll, përfshirë vendbanimet izraelite.

Nga ana e tyre, palestinezët e Bregut kanë denoncuar zgjerimin e kolonive hebraike në territoret e tyre. Nisur nga kjo, dëshpërimi i banorëve mund të favorizojë strategjinë e Hamasit për të pushtuar rajonin.

Të ngjashme