Agjencia e Statistikave planifikon që në pranverë të publikojë raportin e parë me rezultatet për dëmet e luftës të nxjerra gjatë regjistrimit të popullsisë së kryer këtë vit.
Të dhënat për humbjet njerëzore e materiale do të verifikohen nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, për të cilin ato do të jenë “burime dytësore”.
Agron Limani, në mars të vitit 1999 ka humbur babanë, vëllanë dhe dy kushërinj të tjerë. Po atë muaj ai humbi gjithçka që pati në shtëpinë që iu bë shkrumb.
Ai, megjithatë pret më shumë adresimin e dëmeve njerëzore. “Në Krushë të Vogël të Prizrenit janë rrëmbyer e më pas janë zhdukur 113 civilë shqiptarë. Nga 145 shtëpi vetëm 8 shpëtuan. Pavarësisht dëmeve, për ne kryesore mbetet sjellja para drejtësisë e kryerësve”, i ka thënë Radio Kosovës, Limani.
Pas publikimit zyrtar të të dhënave të regjistrimit të popullsisë, Agjencia e Statistikave, që për herë të parë përfshiu në pyetësor modelin kroat për deklarimin e dëmeve të luftës në njerëz dhe ekonomi familjare, planifikon të nxjerrë në pranverë rezultatet e para të dëmeve.
Avni Kastrati, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave, i ka thënë Radio Kosovës se të dhënat për dëmet do të jenë një burim shtesë për Institutin e Krimeve të Luftës.
“Në aspektin njerëzor është më lehtë të identifikohen, por në aspektin e dhunës fizike, psikologjike, seksuale, burgosjes apo dëmeve në pronë dhe dëme të tjera është shumë vështirë të verifikohen”, ka thënë Kastrati.
Ai shton se për të gjitha të dhënat e deklaruara nga qytetarët gjatë regjistrimit të popullsisë “barrën e verifikimit” do ta ketë Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës.
Kreu i këtij Instituti, Atdhe Hetemi, i ka thënë Radio Kosovës se të dhënat e regjistrimit të popullsisë për dëmet e luftës janë një ndihmesë, por nuk mund të konsiderohen me peshë dokumentuese.
“Materialet që janë mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë ndihmojnë për të hartëzuar p.sh, ku ka pasur më shumë të deklaruara dëme, në cilin rajon dhe gjëra të tjera”, ka thënë Hetemi.
Hetemi thotë gjithashtu se të dhënat nuk mund të cilësohen si burime primare për institutin, por ndihmojnë për një orientim se kah të fokusohet hulumtimi shtesë.
“Nuk mund të konsiderohen të dhënat e këtij regjistrimi me vlerë dokumentuese, sikurse p.sh, ato të Institutit për Mjekësi Ligjore ngase atje metodologjia është më konkrete”, shton Hetemi.
Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që dokumenton krimet e kryera gjatë luftës, thotë se të dhënat sigurisht që janë të mangëta.
“Rezultatet regjistrimit (të popullsisë) për dëmet e luftës mund të përdoren si të dhëna të rëndësishme por jo si të dhëna përfundimtare për dokumentimin e krimeve të luftës”, thotë Alija.
Regjistrimi i popullsisë u bojkotua sërish nga komuniteti serb dhe rrjedhimisht raportit të Agjencisë së Statistikave do i mungojë një pjesë e të dhënave për dëmet njerëzore nga ky komunitet.
Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktua...
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...