Kurti: Kosova ka njohur përparim e progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit

14:40 | 5 Tetor 2024
E.K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Federata e Paqes Universale në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, me temën: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor.”

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të.

Kryeministri Kurti trajtoi tranzicionin demografik, ku tha se valët e emigrimit si dhe qëndrimi i popullsisë në një vend të vetëm nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të, madje as nga fillimi i shekullit të ri.

“Nga viti 2011 deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë prej 8 për qind. Në të njëjtën kohë, ka diku rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet se jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit, ndërkohë që nuk janë të përfshirë në shifrat e përgjithshme të popullsisë”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo tregon se realiteti me të cilin përballemi ofron më shumë fleksibilitet sesa që kishim më parë.

E duke folur për të arriturat, kryeministri Kurti tha se Kosova ka njohur përparim e progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. “Rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2%, ekonomia e vendit përkatësisht Bruto Produkti Vendor sot që po flasim është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000”.

Kryeministri theksoi se ka një rritje të punësimit prej mbi 21% nga 350 mijë vende të punës sa ishin në Kosovë në sektorin publik dhe atë privat në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë vende pune tash që po flasim, përfshirë këtu veçanërisht dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar dhe mbështetjen direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave.

“Kësisoj, ne po përpiqemi që jo vetëm ta bëjmë Kosovën tonë të dashur vend në të cilën qëndrojnë rinia, por edhe që kthehen bashkatdhetarët.”

Fjalën e tij e përfundoi duke theksuar se kombinimi i rritjes ekonomike e demokratike, i stabilitetit institucional e politik, afrimit të integrimit me shtetet perëndimore evropiane dhe inovacionit qeveritar që lejon krijimin e një realiteti të ri, ku kostoja e mundësisë nuk është dramatike në mes të jetës këtu ose atje në shtetet më të zhvilluara të botës, është edhe zgjidhja andaj edhe synimi ynë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Zonja dhe zotërinj,

E kam nderin dhe kënaqësinë që të flas sot këtu para jush, jo vetëm për tema të rëndësishme, por gjithashtu për rëndësinë e ndërlidhjes së tyre: “Paqja, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”.

Paqja në rajonin tonë, e sidomos në Kosovë, është diçka që nuk e kemi marrë kurrë si të mirëqenë, sepse është dashur të luftohet e të përpiqemi vazhdimisht për të. Me rreziqet që po i kanosen Evropës dhe Lindjes së Mesme, e të cilat do të diskutohen në sesionet e ardhshme, brishtësia e paqes sot kudo në botë është evidente. Natyrisht, paqja kryesisht destabilizohet nga jashtë, por është edhe një punë që realizohet edhe përbrenda.

Këtu, nuk e vë në dyshim vullnetin e një populli për ta ndërtuar dhe forcuar paqen. Popujt janë të mirë dhe popujt e duan të mirën. Unë sapo u ktheva dje nga Varshava e Polonisë, shtet të cilin e vizitova për herë të parë. Ndër shumë përshtypjet që më ka lënë kryeqyteti polak, është e vështirë të mos të të lënë mbresa vullneti i popullit për rindërtim. Më 1944, gati 85% e qytetit ishte shkatërruar nga nazistët. Qytetarët e Varshavës, duke u mbështetur mbi pikturat e venedikasit Bernardo Bellotto të para dy shekujve, e rindërtuan qytetin. Tani Varshava është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

I njëjti vullnet i njerëzve ekziston edhe në vendin tonë. Kosova jo vetëm që u rindërtua fizikisht, por edhe institucionalisht. Tash sfida e jonë është ta gjejmë mënyrën për t’i bërë qytetarët hisedarë edhe më të fuqishëm të stabilitetit tonë institucional: e pra edhe të paqes e të sigurisë ndër ne.

Në lidhje me tranzicionin demografik, besoj që janë dy faktorë kryesorë që duhen konsideruar. Ulja e popullsisë si pasojë e uljes së natalitetit, që nuk është vetëm problem i Evropës, por edhe i botës mbarë do thoshim. Sipas disa projeksioneve, deri më 2050 më shumë se tri të katërtat e të gjitha shteteve të botës do të jenë nën nivelin e riprodhimit. Kjo, natyrisht, është pasojë e një vendimi faktorësh kompleks mes personales, ekonomikes dhe shoqërores. Shumë qeveri po përpiqen me metoda të ndryshme, siç janë ndihmat për familjet e reja, pra ato që i kemi provuar edhe ne në Kosovë për herë të parë, për ta tejkaluar këtë sfidë.

Valët e emigrimit si dhe qëndrimi i popullsisë në një vend të vetëm nuk janë aq të dallueshme sa ishin në dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të, madje as nga fillimi i shekullit të ri. Nga viti 2011 deri më tani, ka pasur një tkurrje të popullsisë prej tetë përqind. Në të njëjtën kohë, ka diku rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës që besohet se jetojnë në Kosovë gjatë një pjese të konsiderueshme të vitit, ndërkohë që nuk janë të përfshirë në shifrat e përgjithshme të popullsisë.

Kjo tregon se realiteti me të cilin përballemi ofron më shumë fleksibilitet sesa që kishim më parë. Kjo është për shkak të rritjes së punës nga distanca, aktiviteteve sipërmarrëse dhe arsyeve të tjera që bashkatdhetarët në diasporë mund të jenë edhe këtu edhe atje, e jo vetëm ose këtu ose atje.

Secili vend – pavarësisht madhësisë apo pozitës – përballet me faktin se një shtet tjetër mund t’i ofrojë dikujt ndonjë gjë që vendi i vet nuk mund t’i ofrojë. Por detyra dhe rasti që jepet duhet të jetë frytdhënës. Duhet të zhvillohet asisoj që deri në kohën kur të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, do të ketë raste për qytetarët që t’i shijojnë aspektet e jetës kulturore, ekonomike, akademike e me radhë të Evropës Perëndimore, përderisa vazhdojnë të jenë qytetarë dhe banorë rezidentë afatgjatë në shtetin tonë.

Kosova ka njohur përparim e progres si kurrë më parë në këto tri vitet e fundit. Rritja mesatare ekonomike është në nivelin 6.2%, ekonomia e vendit përkatësisht Bruto Produkti Vendor sot që po flasim është gjashtëfish më i madh se sa në vitin 2000, nuk po e marrim parasysh vitin ’99-të të luftës e të kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre të djegura, dhe tri herë më i madh sesa në vitin 2008 kur e shpallëm pavarësinë.

Eksportet e investimet e huaja janë dyfishuar dhe raporti eksport-import krahasuar me vitin 2021 është përmirësuar në më mirë se 1:6 nga 1:9 sa ishte asokohe.

Kemi një rritje të punësimit prej mbi 21% nga 350 mijë vende të punës sa ishin në Kosovë në sektorin publik dhe atë privat në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë vende pune tash që po flasim, përfshirë këtu veçanërisht dyfishimin e numrit të të rinjve të punësuar dhe mbështetjen direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave. Pagat janë në trend të rritjes, e ajo minimale është dyfishuar në këto vitet e fundit. Kemi borxhin publik më të ulët në Evropë, që na bënë më të fortë në negociatat me institucionet financiare ndërkombëtare, nivel të ulët të inflacionit, ndërkaq shpenzimet kapitale për vitin 2023 ishin më të lartat në historinë e vendit tonë për nga qindra milionat e ekzekutuara, ndërkaq qarkullimi i bizneseve gjatë vitit të kaluar ishte për 58% më i lartë se në vitin 2019, si vit para pandemik, nga 12.5 në 19.76 miliardë Euro.

Të nderuar të pranishëm,

Vendi ynë po rritet, si lider i progresit dhe i zhvillimit ekonomik e demokratik në rajon dhe me trajektore tejet premtuese për të tashmen dhe të ardhmen.

Kësisoj, ne po përpiqemi që jo vetëm ta bëjmë Kosovën tonë të dashur vend në të cilin qëndrojnë rinia, por edhe që kthehen bashkatdhetarët. Përshtypja ime është që në natyrën e njeriut nuk është ta kaloj tërë jetën duke jetuar e banuar vetëm në një vend dhe as ta mplakë jetën duke e folur vetëm gjuhën amtare. Njerëzit thuajse janë të bërë të flasim më shumë se një gjuhë e të jetojnë më shumë sesa një vend. Andaj, nuk është çështja veçse ku shkojmë, kur shkojmë e pse shkojmë, por edhe kur kthehemi, sa kthehemi e pse kthehemi.

Liberalizimi i vizave njëmend ua lejon qytetarëve që të jenë afër vendeve perëndimore dhe të kalojnë kohë në shtete ku kanë familje, miq, apo mundësi shkëmbimi profesional, por padyshim pa u zhvendosur përfundimisht. Dhe pikërisht ashtu siç e patëm paraparë liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës nuk e ka rritur migrimin. Përkundrazi, ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe ka gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen. Me këtë rast unë bëj thirrje edhe njëherë mërgatës tonë që për dallim prej para tri dekadave kur ju thoshim kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju themi investoni për të fituar. Ata janë pjesë e zhvillimit edhe rritjes sonë dhe ne dëshirojmë që këtë po ashtu ta rrisim e ta zhvillojmë.

Afrimi ekonomik me Evropën padyshim që ndihmon në këtë gjë. Finalizimi i negociatave me shtetet e EFTA-s: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, krijon po ashtu mundësi për të marrë pjesë në jetën ekonomike evropiane pa u shpërngulur. Tani është detyrë e inovacionit shtetëror që ta mbështesë diasporën që do të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike, profesionale dhe kulturore të Kosovës, pa pasur përsëri nevojë që të shpërngulet krejtësisht këtu. Do të thotë, zgjidhja është më e mira e të dyja botëve. Ne e kemi afërsinë gjeografike me Evropën perëndimore dhe duhet ta bëjmë atë më të qasshme nga perspektiva personale e një qytetari.

Kombinimi i rritjes ekonomike e demokratike, i stabilitetit institucional e politik, afrimit të integrimit me shtetet perëndimore evropiane dhe inovacionit qeveritar që lejon krijimin e një realiteti të ri, ku kostoja e mundësisë nuk është dramatike në mes të jetës këtu ose atje në shtetet më të zhvilluara të botës, është edhe zgjidhja andaj edhe synimi ynë. Si dhe mundësitë e opsionet e përgatitura me ekspertizë për qytetarët, të cilët do t’i bëjnë ata pjesëmarrës më aktiv në shoqëri e shtet, që nga ana tjetër e fuqizon paqen, stabilitetin e sigurinë, padyshim që paraqesin përgjigjen më të mirë, të përshtatjes ndaj trendeve gjithnjë e më dinamike të botës.

Në uljen e largimit nga Kosova, padyshim që ndikon edhe ndërlidhja gjithnjë e më e afërt e edukimit me ekonominë, e arsimimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës, e synimit tonë që për çdo diplomë shkolle a fakulteti të ketë një vend pune. Mbase e vetmja gjë më e rëndësishme në luftimin e migrimit sesa ekonomia dhe arsimi është ndërlidhja midis ekonomisë dhe arsimit.

Prandaj, më lejoni të përfundoj që ashtu qysh është e rëndësishme ndërlidhja e paqes me stabilitetin dhe me tranzicionin demografik në Ballkanin Perëndimor si tema që po i qëmtojmë sot, njësoj është e rëndësishme edhe ndërlidhja e ekonomisë me arsimin ashtu që vendi ynë i dashur të jetë gjithnjë e më i jetueshëm dhe i përjetueshëm për të gjithë, pa lënë asnjëri prapa e posaçërisht për rininë./Arbresh.info

Të ngjashme