Irani i hodhi gati 200 raketa balistike drejt Izraelit, duke e kryer sulmin më të madh si kurrë ndonjëherë ndaj armikut të vet të përbetuar.
Sulmi i 1 tetorit ishte më i madh dhe më i guximshëm se sulmet e papritura të Iranit kundër Izraelit në prill. Këtë herë, Teherani gjithashtu përdori raketa më të përparuara dhe nuk dha paralajmërime të dukshme para kryerjes së sulmit.
Dëmet e përgjithshme dhe viktimat që sulmi raketor i Iranit i ka shkaktuar ende janë të paqarta. Por, Izraeli është zotuar se do të përgjigjet shumë ashpër.
Ekspertët kanë thënë se hakmarrja e Izraelit me gjasë do të jetë më e fuqishme seç ishte në prill – kur u përgjigj kryesisht butësisht – duke e ditur se sa i madh ishte sulmi më i fundit nga Irani.
“Izraeli natyrisht se do t’ia japë një goditje shumë më të rëndë Iranit”, tha Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
Rreziku i nxitjes së hakmarrjes nga Izraeli
Irani e përshkroi sulmin e tij të 1 tetorit si hakmarrje ndaj Izraelit për ofensivën në Liban dhe për luftën shkatërruese njëvjeçare në Rripin e Gazës, si dhe për vrasjen rishtazi të aleatëve kryesorë të Teheranit në rajon.
Forcat izraelite e nisën ofensivën tokësore në Libanin jugor më 1 tetor, pas një jave bombardimesh të pareshtura dhe shkatërruese.
Sulmet ajrore izraelite në Bejrut më 27 shtator e vranë Hassan Nasrallahun, liderin e Hezbollahut, grupit të armatosur dhe partisë politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe që mbështetet nga Irani.
Izraeli e ka asgjësuar lidershipin dhe i ka shkatërruar aftësitë luftarake të Hezbollahut, aleatit më të afërt dhe kyç të Iranit në strategjinë e Teheranit për ta luftuar Izraelin.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ndërkohë, Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – u vra nga një sulm i dyshuar izraelit në Teheran, në korrik.
Ekspertët kanë thënë se trysnia e brendshme për t’iu përgjigjur Izraelit dhe pozita e dobësuar e Iranit në rajon, e detyruan Teheranin të veprojë.
“Irani duket se ka arritur në përfundimin se kostoja e mosveprimit ishte më e madhe sesa rreziqet e ndërmarrjes së veprimeve”, tha Vaez.
“Nuk ka dyshim se Teherani është i vetëdijshëm për rreziqet, jo vetëm duke e përsëritur, por duke e zgjeruar sulmin raketor kundër Izraelit, duke nxitur kështu një hakmarrje izraelite që duket se sigurt do të ndodhë”, shtoi ai.
Sulm i madh, përgjigje e ashpër
Sulmi i Iranit me raketa dhe dronë ndaj Izraelit në prill, i parë i drejtpërdrejtë ndonjëherë ndaj armikut të tij, ishte shumë i parashikuar. Irani gjithashtu përdori dronë me rreze të gjatë veprimi dhe raketat më të vjetra në atë sulm.
Nëse krahasohet me sulmin e atëhershëm, sulmi i Iranit më 1 tetor ishte “shumë substancial”, tha Fabian Hinz, hulumtues nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.
Dëshmitë fillestare sugjerojnë se Irani përdori raketat balistike, të cilat arritën në Izrael brenda disa minutash, tha ai për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë.
Qëllimi i mundshëm, tha Hinz, ishte t’i jepte Izraelit kohë të kufizuar për t’u përgatitur.
Në prill, Izraeli iu përgjigj sulmit të Iranit duke goditur një sistem radari të mbrojtës ajror në qytetin qendror iranian, Isfahan.
Por, ekspertët paralajmërojnë se hakmarrja izraelite këtë herë pritet të jetë shumë më e ashpër.
Zyrtarë izraelitë janë cituar nga mediat duke thënë se Izraeli mund të godasë zona strategjike brenda Iranit, duke përfshirë objektet energjetike.
Një sulm i mundshëm izraelit ndaj ndonjë objekti nafte ose gazi në Iranin e pasur me energji, do të ishte spektakolar për t’u parë, por i padëmshëm nga pikëpamja strategjike, tha Farzin Nadimi, hulumtues në Institutin e Uashingtonit për Studime të Lindjes së Mesme.
Sulmi ndaj ndonjë objekti bërthamor do të sillte më shumë rreziqe dhe do të duhej të ishte shumë i madh, duke marrë parasysh se infrastruktura kryesore bërthamore e Iranit ndodhet thellë nën tokë, tha ai.
Sulmet që synojnë objektet bërthamore të Iranit, të cilat Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara thuhet se i kanë ushtruar, mund ta detyrojnë Teheranin të armatosë programin e vet bërthamor, kanë paralajmëruar ekspertët.
“Pa marrë parasysh se cili është synimi [i Izraelit], një goditje e tillë është e destinuar ta detyrojë Teheranin të hakmerret, duke nxitur sulme me raketa balistike që mund ta shtyjnë tërë rajonin drejt humnerës”, tha Vaez./rel
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...