Google ADS

Gërvalla në takimin për Procesin e Berlinit kërkon urgjentisht të hapen arkivat për personat e zhdukur me dhunë

19:13 | 1 Tetor 2024
E.H

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në takimin e ministrave të Jashtëm në Gjermani në kuadër të Procesit të Berlinit ka thënë se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet kyçe dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin e plotë në Ballkanin Perëndimor.

Gërvalla, e cila në këtë takim po merr pjesë me ftesë të ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, theksoi se bashkëpunimi rajonal është kyç për përparimin e rajonit, jo vetëm në aspektin e partneritetit, por për gjithë procesin e Ballkanit Perëndimor, përcjell Arbresh.info.

“Ministrja Gërvalla theksoi se përparimi drejt integrimit evropian kërkon përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në katër marrëveshjet të cilat mundësojnë katër liritë themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Implementimi i këtyre marrëveshjeve nga të gjitha shtetet do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit”, thuhet në njoftimin për media nga MPJD.

Në një nga seancat e konferencës së sotme ishte i pranishëm edhe kryetari i Komitetit Rajonal të Rrjetit Rajonal të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur nga ish-Jugosllavia, Haki Kasumi.

Ai i bëri thirrje ministrave të pranishëm të ofrojnë mbështetje për zbardhjen e fatit të 11,000 personave ende të zhdukur, një plagë e hapur për familjet e tyre.

“Rikthimi i identiteteve të viktimave dhe përmbushja e të drejtës së familjeve për të ditur fatin e të dashurve të tyre është një parakusht për sigurinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë,” tha Kasumi.

Pas fjalës së Kasumi, gjatë ndërhyrjes së saj, Ministrja Gërvalla bëri thirrje që urgjentisht të hapen arkivat dhe të mbyllet kjo plagë e hapur për familjet e personave të zhdukur me dhunë./Arbresh.info

Të ngjashme