Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Mirosllav Ivanoviq ka dhënë mbrojtjen, kurse të akuzuarit Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Ivan Kadiq dhe Boban Millovanoviq, janë mbrojtur në heshtje.
Në këtë rast, aktakuza ngarkon ish-kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
I akuzuari Ivanoviq deklaroi se kur kanë filluar punimet për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”, roli i tij kishte qenë vetëm në logjistikë, për vendosjen e lokacionit të atij projekti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, i akuzuari Ivanoviq tha se nuk kishte nënshkruar pagesën e projektit të lartcekur në shumën prej 246 mijë e 28 euro e 42 centë, pasi sipas tij, nuk kishte kompetencë e tij.
“Unë nuk kam marrë pjesë në atë pjesë financiare… nuk ka qenë kompetencë e imja, unë më tepër jam marrë me logjistikë”, deklaroi i akuzuari Ivanoviq.
Ai pohoi se përveç të akuzuarit Jabllanoviq, të cilin e kishte njohur që nga viti 1980, të akuzuarit tjerë i kishte njohur vetëm pasi kishin filluar punën së bashku.
Më tej, Ivanoviq tregoi se ishte në marrëdhënie pune në ndërmarrjen “Trepça” gjatë kohës kur ishte emëruar si nënkryetar i Leposaviqit nga kryetari i atëhershëm, Dragan Jabllanoviq.
“Në Komunën e Leposaviqit kam marrë vetëm një pjesë të kontratës, 60% të rrogës dhe nuk kam pasur të ardhura të tjera», u shpreh Ivanoviq.
Pas kësaj, Ivanoviq shfrytëzoi të drejtën ligjore për t’u mbrojtur në heshtje, duke theksuar se qëndron pranë të gjitha deklaratave të dhëna më parë.
Lidhur me këtë veprim, prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova tha se në momentin kur i akuzuari pranon të japë mbrojtjen, ka të drejtë të refuzojë disa pyetje por jo të mbrohet në heshtje.
“I pandehuri ka të drejtë që të mbrohet në heshjte nga fillimi i dhënies së deklaratës, por në momentin kur pranon me dhënë mbrojtjen e vet, ka të drejtë të refuzojë disa pyetje e jo të mbrohet në heshtje”, tha prokurorja.
Prokurorja Bina-Rugova propozoi që të lexohet deklarata e tani të ndjerës J.B., (e cila akuzohej në këtë rast), por ky propozim u kundërshtua nga mbrojtja, me arsyetimin se nuk mund të lexohet një deklaratë në mungesë të personit.
Ndërsa, të akuzuarit Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Ivan Kadiq dhe Boban Millovanoviq, shfrytëzuan të drejtën e tyre ligjore që të mbrohen në heshtje.
Avokati i të akuzuarit Boban Millovanoviq, Faruk Korenica, propozoi që deklaratat e dhëna nga i mbrojturi i tij, pa prezencën e avokatit, të përjashtoheshin nga dokumentacioni i çështjes.
Në përfundim, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, deklaroi se për të gjitha propozimet do të vendoset jashtë seancës gjyqësore.
Ndryshe, në seancën e 20 shtatorit 2024, ka dhënë mbrojtjen ish-kryetari i Leposaviqit, i cili ka mohuar se ka ndikuar në punësimin e të akuzuarve tjerë.
Në këtë rast, aktakuza ngarkon Dragan Jabllanoviq, ish-kryetar i Leposaviqit për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet./BetimipërDrejtësi
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...
Aksident mes një motoçiklete dhe një veture në Prishtinë, lë...
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...