Mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik në Kosovë nuk kanë pranuar pagat e tyre në llogaritë bankare të hënën, siç ndodh zakonisht.
Punëtorët e sektorit publik deri para pak minutash kishin mbetur në pritje të ekzekutimit të pagave të tyre nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Financave për muajin shtator.
Ndonëse në nenin 7, paragrafi 4, i Ligjit për Pagat thotë qartë se, pagat duhet t’u dalin punëtorëve më së voni ditën e fundit të muajit, një gjë e tillë nuk ndodhi, raporton Arbresh.info.
Një nga shkaqet kryesore të këtij “dështimi” është skadimi i mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit.
Sipas avokatit Xhevdet Smakiqi, kjo është një shkelje ligjore.
“Qeveria me ketë mos-përmbushje të detyrimit ligjor ka shkaktuar shkelje masive në sektorin publik dhe kontratat e punës së mbi 90 mijë palëve pra shërbyesve civil, policëve, mjekeve etj.”, thotë ai për Arbresh.info.
Ai thekson se për këtë, sindikatat kanë bazë ligjore që të ushtrojnë padi në gjykata për vonesat.
Kjo pasi që, siç thotë Smakiqi vonesat shkaktojnë pasoja edhe në mirëqenie sociale, shlyerjen e kredive ashtu si dhe në standardin jetësor të t’ punësuarve ne sektorin publik.
“Ky dështim i Qeverisë është në listën e shumë dështimeve dhe ata flasin për Reforma në Administratën Publike e nuk kanë aftësi t’i ekzekutojnë pagat në afatin ligjor.”, thekson ai.
Ai foli edhe për drejtimin e institucioneve me ushtrues detyre duke e quajtur dëshmi të qëllimit të keq që në ato pozita të sillen, siç thotë ai, militantët e VV-së.
“Kurse sa i përket ushtruesve të detyrave duke mos pasur aftësi të zhvillojnë konkurse për të plotësuar vendet vakante në administratën publike dëshmon qartë qëllimin e keq që në ato pozita ti sjellin militantët e LVV-së se pra janë në gjendje të shkatërrojnë komplet sistemin strukturën për të pritur militantët politike të vendosen në pozita kyçe”, shprehet Smakiqi.
Avokati Smakiqi thekson se këto janë urdhëruar politike siç mund te krahasohen me rastin e mos dekretimit te Kryeprokurorit te Shtetit Blerim Isufaj.
Ai rithekson se qëllimi i pushtetit është ushtrimi i kontrollit politik në administratën publike.
“Sepse qëllim të keq e kane ushtrimin e kontrollit politik duke shkatërruar profesionalizmin dhe pavarësinë e administratës publike e ndërtuar me ndihmën e partnerëve perëndimor me mbi dy dekada pra me shume se 25 vjet.”, thekson mes të tjerash Smakiqi.
Mos-dalja e pagave të sektorit publik nxiti edhe reagimin e opozitës të cilët e kritikuar Qeverinë për këtë vonesë.
Arsyetimi se skadimi i mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Thesarit të Shtetit, nuk duket të jetë e vetmja arsye sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha.
Ai për Arbresh.info thotë se mungesa e pagesave ka rrënjë më të thella në sistemin ekonomik të vendit dhe në lidhjet e tij me financimet ndërkombëtare, si dhe me problemet e brendshme të menaxhimit të shtetit.
Ai citon burimet ndërkombëtare dhe raportimet e mediave kur thotë se shqetësimet për financat publike të Kosovës nuk janë të reja.
Sipas tij, Qeveria ka qenë e paralajmëruar nga ndërkombëtarët për pasojat e veprimeve të saj lidhur me uljen e financave ndërkombëtare.
“Qeveria Kurti ka qenë e paralajmëruar nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për pasojat e veprimeve të saj në lidhje me uljen e financimeve ndërkombëtare.”, shprehet deputeti opozitar.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe organizatave si BE-ja dhe CEFTA kanë qenë në vështirësi për shkak të vendimeve të qeverisë, të cilat shpesh janë parë si të njëanshme dhe të papajtueshme me standardet ndërkombëtare. Këto veprime kanë sjellë pasoja të rëndësishme për vendin, me një ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën e financave.”, thekson Berisha.
Tutje, Berisha thekson se kriza e fundit nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me një mungesë totale të financimeve të jashtme, por më tepër me dështimet e menaxhimit të brendshëm dhe zvarritjet burokratike.
“Ndërkohë që qeveria Kurti ka pretenduar se ka përmirësuar menaxhimin e financave publike, duke rritur të ardhurat përmes mbledhjes së taksave dhe menaxhimit më të mirë të burimeve, situata e fundit tregon se këto përmirësime nuk janë të mjaftueshme për të shmangur krizat afatshkurtra.”, tha ai.
“Për më tepër, disa raporte nga burime të besueshme ndërkombëtare kanë sugjeruar se Kosova mund të humbasë përfitime të rëndësishme financiare nga mekanizmat e Procesit të Berlinit dhe CEFTA, të cilat janë thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se fondet për pagat dhe skemat sociale në Kosovë financohen kryesisht nga buxheti i brendshëm dhe jo nga këto burime ndërkombëtare. Prandaj, kriza e fundit nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me një mungesë totale të financimeve të jashtme, por më tepër me dështimet e menaxhimit të brendshëm dhe zvarritjet burokratike.”, thotë Berisha në një përgjigje për Arbresh.info.
Berisha mes të tjerash thotë se një nga problemet kryesore duket të jetë një dështim në administrimin e duhur të proceseve shtetërore dhe një mungesë koordinimi në zbatimin e politikave fiskale.
“Institucionet e Kosovës janë përballur me vështirësi të thella në menaxhimin e sistemit financiar, dhe këto vonesa burokratike kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, duke krijuar një perceptim të gjerë të një krize më të thellë se sa është në të vërtetë.”, shprehet deputeti i PDK-së.
Deputeti Berisha mes të tjerash, thotë se mos ekzekutimi i pagave nuk është tregues i një krize të përgjithshme financiare në Kosovë, por më tepër një simptomë e problemeve administrative dhe të menaxhimit brenda institucioneve publike.
Berisha kritikoi edhe opozitën për dështimin në mbikëqyrjen dhe ndihmën në zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Një qasje më e mirë do të kërkonte bashkëpunim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe një menaxhim më të efektshëm të burimeve të brendshme për të shmangur vonesa të tilla në të ardhmen”, shprehur mes të tjerash ai.
Situata aktuale sipas Berishës, ka krijuar pasiguri të madhe te qytetarët e Kosovës duke thënë se është e rëndësishme të kuptohet se problemi qëndron kryesisht në zvarritjet burokratike dhe menaxhimin e dobët të proceseve shtetërore, dhe jo në një krizë financiare të thellë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës thekson që qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për përmirësimin e menaxhimit të institucioneve dhe për të siguruar që qytetarët të mos përballen me vonesa të tilla në të ardhmen.
Megjithatë, pak para orës 16:00, pagat u tranferuan në llogaritë e punëtorëve publikë, thuajse me dy ditë vonesë./Arbresh.info/ Erolinda Gashi/
Xhemaili, AAK për presidenten: “New sheriff in town...
`Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve në Kosovë`, prezentohet met...
“A je ardh me i dhanë lajmet a çka” – Drenusha ‘kapet’ me Ro...
Rama: 21-30 Nëntor, Java Kulturore Kombëtare, Shqipëri ̵...
“A mendon se të ka puthur Ana për lojë?- Pyetja e publikut p...
Hamza: Brenda vitit 2025 me mua kryeministër pagat do të rri...