Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” midis Hezbollahut dhe Izraelit mes raporteve që Izraeli ka nisur sulme në Liban përpara një pushtimi të afërt tokësor.
“Sovraniteti i Izraelit dhe i Libanit duhet të garantohet dhe çdo ndërhyrje e mëtejshme ushtarake do ta përkeqësonte në mënyrë dramatike situatën dhe duhet të shmanget”, tha kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për rrezikun e këtij përshkallëzimi të mëtejshëm në të gjithë rajonin dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje”, shtoi ai.
“Armët tani duhet të heshtin dhe zëri i diplomacisë duhet të flasë dhe të dëgjohet nga të gjithë”, vazhdoi Borrell.
Duke folur në Liban më herët, Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i kërkoi Izraelit të “përmbahet nga çdo inkursion tokësor dhe të ndalojë të shtënat”, duke i bërë thirrje gjithashtu Hezbollahut të bëjë të njëjtën gjë, shkruan euronews.
Bëhet e ditur se takimi ministror i BE-së, i cili u zhvillua me video-telefonatë, ishte jozyrtar, që do të thotë se nuk u morën vendime në lidhje me përgjigjen e bllokut ndaj përshkallëzimeve të mundshme.
Por, ndarjet e thella midis pozicioneve të vendeve të BE-së për konfliktin që përfshin Lindjen e Mesme që nga lufta në Gaza tetorin e kaluar, kanë dobësuar ndikimin diplomatik të bllokut në rajon.
Siç raportohet, thirrja e BE-së vjen vetëm disa orë pasi Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se “faza tjetër” e luftës së Izraelit kundër Hezbollahut “do të fillojë së shpejti”.
Ndërkohë, edhe kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë.
Borrell përsëriti gjithashtu angazhimin e BE-së për të mbështetur autoritetet libaneze dhe theksoi përpjekjet e vazhdueshme për të ofruar ndihmë kritike humanitare për qytetarët e saj.
Komisioni Evropian lëshoi gjithashtu 10 milionë euro ndihmë humanitare shtesë për Libanin për të ndihmuar të prekurit nga përshkallëzimi.
Ndryshe, së fundmi janë fotografuar njësitë e lëvizshme të artilerisë izraelite pranë kufirit me Libanin, duke shtuar frikën për një përshkallëzim dhe inkursion të mundshëm izraelit në Liban. /Telegrafi/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...