Google ADS

Kurti kujton doktorin e UÇK-së: Atje ku shëroi plagë lirie, atje dhe ra nga plagët e lirisë

22:37 | 30 Shtator 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar doktor Shëptim Robajn në 26-vjetorin e vdekjes së tij nga shpërthimi i një mine të ushtarëve serb.

Kurti ka thënë se Robaj ishte shpëtimtar i shumë jetëve, doktor i plagëve të shumë dëshmorëve dhe të plagosurve gjatë luftës në Kosovë, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë i Kurtit:

Doktor Shpëtim Robaj, ishte shpëtimtar i shumë jetëve, doktor i plagëve të shumë dëshmorëve dhe të plagosurve gjatë luftës në Kosovë. Dr. Shpëtim Robaj (1957 – 1998) ishte shembulli i doktorit që i rri besnik thellësisht “betimit të Hipokratit”; ishte profili i studiuesit dhe i ligjëruesit të njëkohshëm të mjekësisë, që vetëzhvillohet dhe zhvillon të tjerët në universitet dhe klinikë; ai ishte njeriu doktor dhe doktori humanist, që njerëzoren dhe profesionalen i jetoi bashkë; Dr. Shpëtimi ishte luftëtar i lirisë, në luftë me plagët drejt lirisë; ishte doktor hero, dëshmor i rënë në betejë me varrët e luftës për liri, varrët që ia morën edhe jetën.

26 vjet më parë, në mes të fshatrave Likoc dhe Abri e Poshtme, më 30 shtator 1998, Shpëtim Robaj u vra nga plagët e shkaktuara nga shpërthimi i një mine të vendosur nga forcat ushtarake serbe. Ai po shkonte për t’i ndihmuar të plagosurit e mbijetuar nga masakra në Abri të Epërme, ku katër ditë më parë, forcat serbe i kishin masakruar 23 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ai ishte bashkë me kolegë të tjerë, doktorë vendas dhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, mes të cilëve në atë rast u plagosën mjeku Ilir Tolaj, motra medicinale nga Zelanda e Re, Margaret Braison dhe kolegia e tyre Mirlinda Bunjaku.

Shpëtim Robaj ishte bërë pjesë e ekipeve mjekësore vullnetare për mjekimin e të plagosurve të luftës dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u lidhur me spitalin ushtarak në Likoc, që në javët e para të luftës në pranverën e vitit 1998. Ai ia kishte mjekuar plagët edhe luftëtarit të paepur të lirisë, Komandantit Mujë Krasniqi. Dr. Shpëtim Robaj kishte kuruar plagë civilësh e ushtarësh edhe në Gradicë, Gajrak, Breshanc, Ponorc e Senik. Ndërkohë, ai kishte krijuar kontakte edhe me organizatat Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Mjekët pa Kufij.

Ishte angazhuar edhe për blerjen dhe vendosjen e aparaturës së rentgenit, në spitalin e luftës në Likoc.

Atje ku shëroi plagë lirie, atje edhe ra nga plagët e lirisë.

Lavdi doktorit hero, Shpëtim Robajt, shpëtimtarit të aq shumë jetëve që e dha jetën për lirinë e Kosovës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme