Osmani takoi Kardinalin e Vatikanit, theksoi rëndësinë e njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë

14:52 | 29 Shtator 2024
E.G

Gjatë javës së kaluar, në New York, Presidentja e Kosovës,  Vjosa Osmani u takua me Kardinalin Parolin, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë.

Sipas njoftimit, Osmani në takim shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë, shkruan Arbresh.info.

Ajo theksoi gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj.

Tutje, në takim, Presidentja ka theksuar edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.

Po ashtu, në takim me Kardinalin Parolin, Presidentja Osmani ka folur edhe ftesën për vizitën e Papës Françesku në Republikën e Kosovës, të cilën e ka diskutuar në takim me Papën vitin e kaluar./Arbresh.info/

Të ngjashme