Kosova përmbyll me sukses marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s

22:16 | 26 Shtator 2024
E.G

Kosova ka përmbyllur me sukses negociatat për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA): Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, shkruan Arbresh.info.

“Pas katër raundeve negociatash që filluan në vitin 2022, ky është një hap i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke hapur mundësi të reja për ndërmarrjet dhe industritë e vendit”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja përfshin si tregtinë e mallrave, ashtu edhe atë të shërbimeve, duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm nga rajoni që negocion tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-s.

Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh potencialin e Kosovës në ofrimin e shërbimeve profesionale.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka theksuar rëndësinë strategjike të vendeve të EFTA-s për ekonominë e Kosovës dhe potencialin që kjo marrëveshje do të sjellë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.

Negociatat u udhëhoqën nga Zef Dedaj nga pala kosovare, ndërsa delegacioni i EFTA-s drejtohej nga Karin Buechel./Arbresh.info/

Të ngjashme