Apeli sërish ndryshon vendimin e Themelores, dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e vitit 2010 në një diskotekë në Pejë

23:54 | 25 Shtator 2024
E.G

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe e gjykoi me 24 vjet burgim të akuzuarin Granit Elshani për akuzën se më 2 janar 2010 kishte shtënë me armë zjarri në diskotekën “City Club” në Pejë, ku për pasojë kishte mbetur i vrarë B.Sh.

Gjykata Themelore në Gjakovë përmes aktgjykimit të 30 nëntorit 2023, në rigjykim të dytë, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Elshanin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vendimin të Themelores në Gjakovë, kishte ushtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe Elshani të shpallet fajtor apo çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësja e Elshanit, avokatja Kosovare Kelmendi ka kërkuar që vendimi i Themelores të vërtetohet, ndërsa ankesa e PSRK-së të refuzohet si e pabazuar.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës, kishte propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e PSRK-së, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë të ndryshohet ose çështja të kthehet në rigjykim dhe Elshani të shpallet fajtor.

Përmes vendimit të 20 shtatorit 2024, Apeli ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që e ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e shpallur fajtor të akuzuarin dhe i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 24 vjetësh.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 25 tetor 2016, e deri më 30 nëntor 2023. Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit dhe për këtë do të lëshohet aktvendim i veçantë “për t’i mundësuar të akuzuarit edhe ushtrimin e mjetit efektiv juridik ndaj masës së paraburgimit”.

Sipas Apelit, nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi aktgjykimi i Themelores nuk ka kundërthënie mes dispozitivit dhe arsyeve të dhëna. Kurse, pretendimet e PSRK-së për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike janë gjetur të bazuara, me këtë ka shpallur aktgjykim dënues për Elshanin.

Nga analizimi i provave, Apeli ka gjetur se më 2 janar 2010 në qytetin e Pejës në natën e dytë të vitit të ri në diskotekën “City Club” kishin shkuar rreth një mijë persona, e në mesin e tyre edhe i akuzuari Elshani dhe se kishte në duar dy armë.

Në vendim thuhet se dëshmitarët pas krismave të armëve kishin menduar se janë fishekzjarre, derisa e kishin parë Elshanin me dy armë në duar dhe se po gjuante afër skenës së diskotekës dhe atë në drejtime të ndryshme.

Sipas vendimit të Apelit, nga gjuajtjet me armë kishte mbetur i vrarë tani viktima B.Sh dhe i plagosur i dëmtuari V.K, kurse Elshani gjatë largimit nga diskoteka sipas dëshmisë së dëshmitarëve kishte vazhduar të gjuante në drejtime të ndryshme ku predha e kishte goditur të dëmtuarin A.B.

“…ndërsa në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, me dy armët që i mbante në duar përpjetë ka vazhduar të gjuaj në drejtime të ndryshme brenda lokalit dhe me ketë rast me një predhë e ka goditur të dëmtuarën A.B. në anën e pasme të djathtë të humerusit e cila ishte në katin e dytë”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, thuhet se zyrtari policorë H.B., i cili kishte qenë jashtë detyrës, kishte filluar ta ndjekë të akuzuarin brenda dhe jashtë diskotekës, e derisa po ikte i akuzuari kishte shtënë dy herë në drejtim të të dëmtuarit, kurse ky i fundit kishte thënë “Ndalo Policia”, por që i akuzuari e kishte plagosur atë.

“…derisa po ikte për t’iu liruar rruga nga qytetarët kishte gjuajtur dy here në ajër, dhe pasatj kur i dëmtuari i kishte dhënë urdhrin “Ndalo Policia!”, i akuzuari kishte gjuajtur dy herë në drejtim të tij, ashtu që të dëmtuarin H. B., e kishte qëlluar në pjesën e epërme të regjionit femoral të këmbës së djathtë dhe i njëjti ishte ndalur i plagosur”, thuhet më tej në vendim.

Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, të akuzuarin Elshani derisa po ikte e kishin ndjekur edhe dëshmitarët Xh.K., K. H. dhe A. B.

Sipas Apelit, i akuzuari Elshani me dy armë dhe në afërsi të skenës në diskotekë, me dashje dhe në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K., me ç’rast nga dashja eventuale privon nga jeta viktimën B.Sh.

Nga gjuajtjet me armë, sipas vendimit të Apelit thuhet se viktima B.Sh ishte goditur në gjoks, duke i shkatuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa i dëmtuari V.K kishte mbetur i plagosur.

Faktin se i akuzuari me dy armë kishte hyrë në diskotekën “City Club” në Pejë, ku ishin të pranishëm rreth 1 mijë persona, Apeli thotë se e vërtetojnë të gjithë dëshmitarët të cilët kanë qenë të pranishëm natën kritike në diskotekë.

Po ashtu, thuhet se nuk ka qenë kontestuese se i akuzuari kishte gjuajtur në drejtim të skenës, ku ishin duke qëndruar i dëmtuari V. K. dhe viktima B. Sh., ngase kjo vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve por edhe dëshmitë balistike përkatësisht, gëzhojat që janë gjetur rreth skenës së diskotekës që mund të shihen në skicën e vendit të ngjarjes.

Tutje, sipas vendim të Apelit thuhet se i akuzuari Elshani përmes veprimeve të tij është përfshirë në vepra penale siç është dënuar nga kjo gjykatë, pasi që ka qenë i vetëdijshëm se mund të shkaktohen pasoja si rezultat i veprimeve të tij.

“Kjo Gjykatë në rastin konkret vërteton se sa i përket privimit nga jeta e të ndjerit B. Sh., në veprimet e të akuzuarit kemi të bëjmë më dashje eventuale, sepse i akuzuari ka qenë i vetëdijshëm se mund të shkaktoheshin pasoja si rezultat i veprimeve të tij, duke marrë për bazë që i ndjeri ishte në afërsi me V. K., ku me ç’rast ka mbetur i privuar edhe i ndjeri B. Sh.”, thuhet në vendim.

Faktin se i akuzuari Elshani ishte personi që kishte gjuajtur me armë, Apeli e ka vërtetuar fillimisht nga dëshmia e dëshmitarit okular Xh.K, pastaj edhe nga dëshmitari H.B.

Ndërkaq sipas Apelit, dëshmitarët tjerë të pyetur rreth identitetit të të akuzuarit Elshani kishin deklaruar shumica se ka pasur flok të errëta, disa kanë thënë se ishte bjond, disa kanë deklaruar se ka kishte flokë të shkurtra, e disa të gjata.

Andaj, sipas Apelit këto forma të ndryshme të përshkrimit të të akuzuarit Elshani ishin si rezultat i ndriçimit të dobët që ishte brenda në diskotekë, e që kjo mund të vërtetohet edhe nga video-incizimi në CD.

Ndërkaq sa i përket hyrjes së Policisë në shtëpinë e T.H., (ku edhe ishte gjetur arma e të akuzuarit), sipas Apelit bazuar në Kodin e Përkohshëm të Procedurës Penale të Kosovës, i cili ka qenë në fuqi në atë kohë, kur është e domosdoshme dhe në masë të nevojshme, Policia mund të hyjë në shtëpinë dhe lokalet tjera të personit dhe të zbatojë kontrollin pa urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake nëse kryerësi i kapur në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale, duhet arrestuar pas ndjekjes.

Ndërkaq sa i përket mbrojtjes së dhënë nga i akuzuari Elshani, Apeli nuk ia ka falur besimin pasi që e njëjta është në kundërshtim me vetë deklaratën e tij të dhënë në Stacionin Policor në Pejë.

Apeli pasi që ka analizuar dëshmitë e dëshmitarëve T.H., R.H., I.H të afërm me të akuzuarin Elshani, ka vërtetuar se më parë dëshmia e tyre në shqyrtim gjyqësor ka ndryshuar me deklaratën e dhënë në polici.

Motivin e kryerjes së veprave penale në shenjë hakmarrjeje nga Elshani, Apeli e ka gjetur nga deklarata e dëshmitarit Xh.K., i cili kishte deklaruar se familjarët e tij kishin probleme me vëllanë e Granit Elshanit.

“Sipas meje arsyeja qe G. ka qenë sulmuesi në ngjarjen e “City Club”, ka qenë se axhallarët kanë pasur probleme me vëllain e G., s’ka pasur arsye tjetër”, citohet të thënë dëshmitari Xh.K.

Raportet jo të mira të familjes Elshani me familjen e dëshmitarit Xj.K., i ka vërtetuar edhe deklarata e dëshmitarit K.H.

“për raportet që kanë pasur L. (V.K.) me familjen E. kam qenë në njohuri, ashtu siç ka qenë i gjithë qyteti i Pejës se nuk kanë pasur raporte të mira, kanë qenë në hasmëri ndërmjet veti”, kishte deklaruar dëshmtiari K.H në shqyrtim gjyqësor.

Prandaj, nga të gjitha këto gjykata ka vërtetuar se raportet ndërmjet familjes K. dhe familjes Elshani, kanë qenë të këqija dhe se me këtë rast është vërtetuar se hakmarrja ka qenë motivi i kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë si në pikën I. të dispozitivit të këtij aktgjykimi.

Lidhur me elementet e veprave penale, Apeli ka gjetur se në veprimet e të akuzuarit formohen të gjitha elementet e veprës penale të “Vrasjes së rëndë” dhe ato të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”

Ndërkaq sa i përket lartësisë së dënimit, Apeli e ka marrë si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes, se Elshani kishte hyrë me armën në diskotekë, kishte gjuajtur disa herë, mënyrën e kryerjes së veprës ngase Elshani kishte gjuajtur me armën në diskotekë ku prezent ishin rreth 1 mijë persona.

Po ashtu, rrethanë rënduese shkalla e dytë e ka marrë edhe moshën e viktimës (25-vjeçar) dhe shkallën e dëmit shkaktuar familjes së të ndjerit.

Ndërsa si rrethanë lehtësuese, Apeli ka llogaritur sjelljen e të akuzuarit gjatë seancave, qëndrimin korrekt dhe se më parë nuk ka qenë i dënuar për vepra tjera penale.

Apeli po ashtu ndaj Elshanit ka shqiptuar dënim plotësues, konfiskimin e një pistolete, së bashku me dhjetë fishekë që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, i kishte shqiptuar dënim me 25 vjet burgim, Granit Elshanit. Mirëpo, në tetor 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në fjalë.

Pas transferimit të lëndës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Granit Elshani më 14 mars 2023 është dënuar me 24 vite burgim për akuzën se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh. Këtë vendim e kishte vërtetuar Apeli, por e ka kthyer në rigjykim Gjykata Supreme.

Por, Gjykata Themelore në Gjakovë, në rigjykimin e dytë më 30 nëntor 2023, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, Elshani akuzohej se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club”, në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë i vrarë kishte mbetur B.Sh.

Të ngjashme