Situata në Lindjen e Mesme Lufta vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah vazhdojnë të shkëmbejnë sulme ndaj njeri tjeterit. Izraeli njoftoi se rrëzoi një raketë të lëshuar nga Hezbollahu që synone të godiste selinë e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, pranë Tel Avivit. Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësim të thellë pas njoftimit për sulmin me raketa të Hezbollahut në Izrael.
Hezbollahu hodhi dhjetëra raketa në Izrael të mërkurën, duke përfshirë edhe një zonë pranë Tel Avivit. Kjo është goditja më e thellë brenda territorit izraelit nga grupi Hezbollah, në konfliktin 11 mujor.
Izraeli njoftoi se rrëzoi një raketë që sipas njoftimeve të Hezbollahut , synonte të godiste selinë e Mossad-it pranë Tel Avivit.
Ndërkohë, një shtëpi në Izraelin verior, në Safed, afër kufirit me Libanin, u godit nga raketat e Hezbollahut.
Disa njerëz nxituan të ndihmonin familjen që ishte bllokuar brenda shtëpisë së përfshirë nga zjarri.
Në një vendbanim tjetër izraelit, Saar, njoftohet për tre izraelitë të plagosur gjatë sulmeve me raketa të Hezbollahut.
Shtëpia e Bardhë tha se është thellësisht e shqetësuar nga sulmet e fundit, sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Duke folur për rrjetin CNN, zoti Kirby tha se sulmi i ri është “një dëshmi më shumë që Izraeli po përballet me një kërcënim legjitim nga një grup terrorist i mbështetur nga Irani”.
Ndërkaq, ushtria izraelite dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit njoftuan për bombardime të reja izraelite të mërkurën në Libanin jugor.
Konflikti i përshkallëzuar do të jetë një nga temat kryesore të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mërkuren pasdite në Nju Jork.
Hezbollahu ka filluar sulmet me raketa ndaj Izraelit një ditë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Prej 11 muajsh, Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme ajrore, ndërsa lufta vazhdonte me intensitet më të lartë në Rripin e Gazës.
Lufta me Hezbollahun u intensifikua pas vrasjes nga Izraeli javën e kaluar të një prej komandantëve të lartë të grupit militant libanez që ka mbështetjen e Iranit.
“Kemi hyrë në një fazë të re të operacionit kundër Hezbollahut. Operacioni “Shigjetat e Veriut filloi me një goditje të fortë ndaj aftësive të Hezbollahut, duke i dhënë një goditje shumë domethënëse ndaj komandantëve dhe operativëve të organizatës”, tha Ori Gordin, Gjeneral Major në ushtrinë izraelite.
“Eliminimi i komandantëve dhe drejtuesve të Hezbollahut është një sukses i madh. Ne kemi goditur objektiva të rëndësishme brenda Libanit. Megjithatë, duhet të jemi modest. Ky është vetëm fillimi duhet ende kohë e gjatë për të eliminuar fuqinë e Hezbollahut”, thotë Yaakov Amidror nga Instituti Hebre Amerikan për Sigurinë Kombëtare.
Megjithatë, udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha të mërkurën se vrasja e komandantëve të lartë të Hezbollahut nga Izraeli nuk do ta gjunjëzojë grupin.
“Forca organizative dhe burimet njerëzore të Hezbollahut janë shumë të forta dhe nuk do të pësojnë goditje kritike nga vrasja e një komandanti të lartë, pavarësisht nëse kjo është qartësisht një humbje e rëndë”, tha zoti Khamenei.
Zyrtarët libanezë të shëndetësisë thanë se sulmet izraelite që nga e hëna kanë vrarë të paktën 564 njerëz dhe kanë plagosur më shumë se 1,800 të tjerë.
Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur si grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara./voa
Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani
Osmani udhëtoi për vizitë pune në Kolumbi
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...
Pacolli uron një javë të mbarë: Qofshi gjithmonë të lumtur d...
Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojm...