Vuçiqi vazhdon të keqpërdorë platforma ndërkombëtare për të propaganduar narrativën e tij të rreme, duke anashkaluar realitetin dhe të vërtetën historike.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai sulmon shtetet perëndimore dhe përpiqet të njollosë pavarësinë e Kosovës, e cila është produkt i vullnetit të popullit të saj, i mbështetur në parimet e vetëvendosjes dhe të drejtës ndërkombëtare. Kosova është një shtet i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme dhe relevante të botës.
Vuçiqi përmend Rezolutën 1244 për të mbështetur pretendimet e tij, por shpërfill faktin se kjo rezolutë u kalua në një kontekst krejtësisht të ndryshëm. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm ndërkombëtar, i përforcuar edhe nga amandamenti 14 i Kushtetutës së Kosovës. Por, ishte pikërishtë kjo rezolutë, pikënisja që i dha fund luftës në Kosovë dhe hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës, fillimisht siguroi një zgjidhje të përkohshme, duke e futur Kosovën në një proces politik që kulmoi me shpalljen e pavarësisë.
Tashmë, pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, kurse karakteri teknik i shfuqizimit të saj në KS/OKB, (përkundër vetos penguese të Kinës dhe Rusisë) me një plan sinkronizimi me aleatët, do ti eliminoj pretendimet për sovranitet të Serbis mbi Kosovën.
Retorika e tij kundër forcave të armatosura të Kosovës dhe përpjekjet për ndihmën ndërkombëtare ndaj saj, tregojnë frikën dhe obsesionin e Serbisë me realitetin e ri në Ballkan, atë të një Kosove të lirë, të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Forcat e Armatosura të Kosovës janë ndërtuar si pjesa e fundit e mozaikut institucional të shtetit të Kosovës, bazuar në vlerësimin e kërcënimeve dhe rreziqeve të identifikuara gjatë procesit të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Kjo forcë konsolidohet mbi konceptet dhe doktrinat mbrojtëse, është gjithëpërfshirëse dhe funksionon mbi parimet e një ushtrie moderne, e trajnuar nga NATO dhe partneri ynë strategjik, SHBA. Qëllimi kryesor i saj është mbrojtja e qytetarëve, jetëve, pasurive dhe territorit të Kosovës nga çdo kërcënim, qoftë natyror apo i shkaktuar nga njeriu.
Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat Vuçiqi i përshkruan si kërcënim, përfaqësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie, dhe funksionojnë sipas parimeve të një ushtrie moderne dhe mbrojtëse. Kjo forcë synon mbështetjen dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke vepruar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe standardet më të larta të aleatëve tanë.
Komunitetet pakicë në Kosovë, përfshirë atë serb, janë integruar vazhdimisht në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke e ndjerë këtë forcë si të tyren.
Për më tepër, përfaqësimi i komunitetit serb në këtë forcë ka qenë shpeshherë më i madh sesa përqindja e tyre në popullsinë e përgjithshme të Kosovës. Por janë politikat destruktive dhe presionet shantazhuese të Beogradit ndaj serbëve që shërbejnë në Forcat e Armatosura të Kosovës ato që i detyrojnë të largohen nga ushtria apo të mos rekrutohen më. Këto veprime janë pjesë e një skenari të paramenduar për të krijuar një pretekst që Beogradi të spekulojë, siç pretendoj Vuçiq në deklaratat e tij gjatë Asamblesë së 79-të të OKB-së në New York, se
“Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë kërcënim për Serbinë, por përbëjnë kërcënim dhe presion për shpërnguljen e serbëve lokalë.”
Kjo është një shpifje e ulët dhe intrigë nga ana e Vuçiqit, si Gebelsi i Millosheviçit, eksponenti i fundit i shtetit gjenocidial serb, i cili ndjek të njëjtën propagandë.
Forcat e Armatosura të Kosovës po ndërtohen nën patronatin dhe asistencën profesionale e teknike të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht ekipet e institutit për reforma e nivacion të SHBA-së dhe NATO-s, të cilët janë të pranishëm në Kosovë përmes ekipit ndërlidhës dhe këshillues (NALT) në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në strukturat mbështetëse të Forcës. Këta partnerë njohin në detaje karakterin e Forcave që po ndërtohen nga Kosova, të bazuara në parimet e paqes dhe stabilitetit. Pretendimet e Vuçiqit as që mund të merren seriozisht.
Kosova synon të ndërtojë një forcë moderne dhe të standardizuar, të pajisur me teknologji të avancuar dhe të ndërveprueshme me NATO-n, duke ndjekur modelin e sigurisë së shteteve si Izraeli, që ka zhvilluar një forcë të fuqishme mbrojtëse të orientuar nga paqja dhe stabiliteti rajonal.
Prandaj, forcat tona nuk përbëjnë kërcënim për askënd, por janë garant i sigurisë dhe paqes në rajon, duke u mbështetur në bashkëpunimin me NATO-n dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë.
Ndryshe nga pretendimet e Vuçiqit, Kosova është e përqendruar në ndërtimin e “partneriteteve dhe aleancave strategjike” me shtetet demokratike, për mbrojtje të ndërsjellë dhe ruajtjen e paqes në vend dhe në botë.
Është ironike që Vuçiq pretendon të jetë një zë për paqen, ndërkohë që, në të njëjtën kohë, shpif dhe nxit tensione duke përhapur teori konspirative për influencën ruse dhe perëndimore. Përpjekja e tij për ta paraqitur Serbinë si viktimë është e dështuar dhe nuk arrin të fshehë përgjegjësitë e saj për destabilizimin e vazhdueshëm në Ballkan.
Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, se Kosova ka zgjedhur rrugën e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Asnjë fjalim i Vuçiqit nuk do ta ndryshojë këtë realitet.
Ne mbetemi të përkushtuar për dialog konstruktiv dhe ruajtjen e paqes, por nuk do të lejojmë që manipulimet të errësojnë të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.
Shkruan: Hisen Berisha, deputet i PDK-së
Ursula von der Leyen i shpëton jetën një pasagjeri në një av...
Grabiti 5.4 milion euro në aeroportin e Rinasit, dënohet me ...
Arrestohet një i dyshuar i kërkuar me urdhër-arrest ndërkomb...
Nis votimi i 128 amendamenteve, opozita lëshon sallën
Akuzohet për krime lufte në Gaza/ Lëshohet urdhër arrest për...
Haxhiu: Gjykata Kushtetuese qëllimshëm po e pengon reformën ...