Gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti janë caktuar për të vendosur mbi çdo kërkesë dhe referim të mundshëm në çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës pasi në rivendosje Gjykata e Apelit e dënoi atë me 15 vjet burgim për krime lufte.
Vendimi është marrë më 23 shtator 2024, nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ky panel i gjyqtarëve pritet të vendosë edhe mbi kërkesën e përbashkët të mbrojtjes së viktimave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me zgjatjen e afatit për dorëzimin e referimeve të tyre në Kushtetuese, pas vendimit të Supremes për kthimin e rastit në rivendosje në Apel, e që kjo e fundit ia uli dënimin Mustafës nga 22 në 15 vjet burgim.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë, ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.
Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...