Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës një numër të panjohur të bombave thërrmuese me rreze të mesme veprimi dhe një sërë llojesh të raketave, artileri, autoblinda, në kuadër të paketës të ndihmës ushtarake në vlerë prej rreth 375 milionë dollarësh, thanë zyrtarët amerikanë më 24 shtator.
Ky njoftim vjen teksa udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po e shfrytëzon praninë e tij në këtë ngjarje për të rritur mbështetjen për shtetin e tij dhe për të kërkuar nga SHBA-ja që të lejojë trupat ukrainase të përdorin armë me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar thellë brenda Rusisë. Një ditë më vonë, Zelensky do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe nënpresidenten Kamala Harris, në Uashington.
Në paketën e ndihmës përfshihen bombat që kanë municione thërrmuese e të cilat mund të hidhen nga avionët luftarakë të Ukrainës, por edhe municione për sistemi raketor, HIMARS, Javelin, dhe sisteme të tjera ajrore, autoblinda dhe pajisje të tjera ushtarake, thanë zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti pasi që paketa e ndihmës ende nuk është bërë publike zyrtarisht.
Në paketën e fundit të ndihmës, që do t’i jepet Ukrainës përmes Autoritetit për tërheqje presidenciale, është një prej paketave më të mëdha të miratuara së fundi dhe armët do të merren nga rezervat e Pentagonit dhe do të dërgohen shumë shpejt në Ukrainë.
Po ashtu, njoftimi vjen teksa financimi i ndihmës prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën mund të skadojë në fund të muajit nëse Kongresi nuk vepron dhe nuk ai zgjat autoritetin Pentagonit që t’i dërgojë armët nga rezervat e tij në Kiev. Udhëheqësit në Kongresin amerikan thanë të dielën se kanë arritur një marrëveshje për projektligjin afatshkurtër të shpenzimeve, por është e paqartë nëse në të është përfshirë edhe autorizimi për Pentagonin që të dërgojë armë në Ukrainë.
Përfshirë paketën e fundit, SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës më shumë se 56.2 miliardë dollarë ndihmë të sigurisë që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022./rel
Dogana kapi 15 mijë euro mall të padeklaruar në aeroport, gj...
KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Se...
Kurti mirëpriti një delegacion të profesorëve, gazetarëve dh...
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...