Google ADS

Maqedonci dhe Gjeneral Jashari pritën në takim delegacionin e Gardës Kombëtare të IOWA-së

11:08 | 24 Shtator 2024
K.B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur dhe u kanë uruar mirëseardhje delegacionit të Gardës Kombëtare të IOWA-s së SHBA-së, të kryesuar nga zëvendëskomandanti i Gardës së IOWA-s, gjeneral brigade William F. McClintock dhe Shefja e Shtabit e Gardës Kombëtare Ajrore të IOWA-s, gjeneral brigade Stephanie Samenus.

Ministria e Mbrojtjes njofton se në këtë takim ishin dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi dhe Shefi i Stafit në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi dhe oficerë të tjerë të lartë të FSK-së.

Maqedonci falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti Gardën Kombëtare të IOWA-s për bashkëpunimin shembullor me FSK-në dhe kërkoi që ky bashkëpunim të thellohet dhe zgjerohet edhe më tej.

“Delegacioni i lartë ushtarak i Gardës së IOWA-s do të qëndrojë për disa ditë në Shtabin e Përgjithshëm dhe komandat e njësitë e FSK-së, ku do të diskutohen prioritete te bashkëpunimit të dy palëve, për periudhën trevjeçare, duke i ndërlidhur me objektivat strategjike të vendosura në mes të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, gjatë konsultimeve bilaterale të realizuara gjatë muajit shkurt të këtij viti”, njofton kjo ministri.

Tutje thuhet se thellimi i bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të IOWA-s mbetet ndër prioritetet kyqe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar./Arbresh.info/

Të ngjashme