Në Sri Lanka, këtë të hënë, mori detyrën presidenti i parë i majtë, i cili u zotua se do të riktheje besimin e opinionit publik tek politika, pasi zemërimi i shkaktuar nga kriza e pashembullt ekonomike i dha atij një fitore të gjerë.
I vetëshpalluri marksist, Anura Kumara Dissanayaka, i partisë Fronti për Lirinë e Popullit, JVP, u betua në Sekretariatin Presidencial në Kolombi, pasi mundi rivalët e tij në votimet e së shtunës.
Politikani, partia e së cilit udhëhoqi dy kryengritje të dështuara që lanë pas dhjetra mijëra të vdekur, siguroi rritje të mbështetjes, pasi kriza e rëndë ekonomike e vendit në vitin 2022 vuri në vështirësi serioze qytetarët e zakonshëm të Sri Lankës.
“Do të bëj gjithçka që është e mundur që njerëzit të kenë sërish besim te politika”, tha Anura Kumara Dissanayaka, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës.
“Nuk jam magjistar”, shtoi ai, “ka gjëra që di dhe gjëra që nuk i di, por do të bëj më të mirën. Për këtë kam nevojë për mbështetjen e të gjithëve”.
Anura Kumara Dissanayaka Dissanayaka pason presidentin Ranil Wickremesinghe, i cili mori detyrën në kulmin e krizës ekonomike dhe pas muajsh të tërë me mungesë të ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve.
Ranil Wickremesinghe, 75 vjeç rriti taksat dhe vuri masa të reja shtrënguese, sipas kushteve të një pakete shpëtimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Politikat e tij i dhanë fund mungesave dhe çuan në një përmirësim të ekonomisë, por lanë miliona njerëz në vështirësi për të përballuar jetesën.
“Mund të them me besim se bëra gjithçka që ishte e mudur për ta stabilizuar vendin gjatë një prej periudhave të tij më të errëta,” tha ai në një deklaratë pasi u rendit në vendin e tretë në votimet e së shtunës.
Pak para ceremonisë, kryeministri Dinesh Gunawardena dha dorëheqjen, duke i hapur udhën Presidentit Dissanayaka për të emëruar kabinetin e tij.
Partia e zotit Dissanayaka ka thënë se ai dëshiron të ketë kabinetin e tij derisa të zgjidhet një parlament i ri, më vonë këtë vit. Partia e tij, JVP, ka vetëm tre ligjvënës në parlamentin prej 225 anëtarësh.
Ai është zotuar se do të vazhdojë të zbatojë paketën e shpëtimit të FMN-së të negociuar nga paraardhësi i tij vitin e kaluar, por të rishikojë kushtet e saj në mënyrë që të mundësojë ulje të taksave.
“Është një dokument detyrues, por ka një dispozitë për të rinegociuar”, i tha agjencisë së lajmeve AFP Bimal Ratnayake, një anëtar i lartë i partisë së zotit Dissanayaka.
Trashëgimia e dhunës
Partia e zotit Dissanayaka udhëhoqi dy rebelime në vitet 1970 dhe 1980 që lanë më shumë se 80,000 të vdekur përpara se të hiqej dorë nga dhuna.
Që atëherë, për dekada me radhë, kjo force politike kishte patur një rol periferik në politikën e Sri Lankës, duke fituar më pak se katër përqind të votave gjatë zgjedhjeve më të fundit parlamentare në 2020.
Por kriza në Sri Lanka ofroi një mundësi për të dhe mbështetja ndaj tij u rri pasi u zotua të ndryshojë luftojë kulturën e korrupsionit në vend.
Ndër heronjtë e tij ai rendit revolucionarin e njohur marksist Che Guevara.
Që kur mbështetja e tij u forcua, ai ka zbutur disa politika, duke thënë se beson në një ekonomi të hapur dhe nuk është totalisht kundër privatizimit.
Rama: Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë ekonomike, për ...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Kurti: Puna për një shoqëri gjithëpërfshirëse po vazhdon, ar...
Pasivizimi i adresave në Luginë drejt Gjykatës së Strasburgu...