Krijimi i shtetit Bektashi brenda vendit, Rama: Thesar për paqen dhe tolerancën fetare

18:53 | 23 Shtator 2024
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar sërish mbi projektin në krijimin e një shteti Bektashi duke pasur sovranitetin e tyre brenda Shqipërisë.

Pas fjalës që mbajti dje në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama ka theksuar edhe sot se Urdhri Bektashi është një thesar që Shqipëria duhet ta ofrojë në shërbim të paqes, tolerancës dhe humanizmit “si një entitet shpirtëror sovran në kryeqytetin tonë Tiranë”.

Duke iu referuar librit “Historia dhe Kultura e Urdhrit Bektashi në Ballkan” të studiuesit të njohur kanadez Robert Elsie (1950-2017), i cili ishte i specializuar mbi literaturën shqiptare dhe folklorin shqiptar, Rama shkruan se prej këtij libri çdokush mund të mësojë “më shumë për historinë dhe kulturën unike të Urdhrit Bekatashi”.

“Një libër i jashtëzakonshëm për këdo që është i interesuar të mësojë më shumë për historinë dhe kulturën unike të Urdhrit Bektashi, një thesar që Shqipëria duhet ta ofrojë në shërbim të paqes, tolerancës dhe humanizmit si një entitet shpirtëror sovran në kryeqytetin tonë Tiranë, ku Selia Botërore e Bektashinjve është themeluar prej kohësh dhe më pas është ringjallur nga hiri i diktaturës ateiste komuniste”, shkruan Rama në rrjetin X.

Ndërkaq, ditën e djeshme në fjalën e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të Amerikës, Rama tha se Shqipëria ishte e gatshme që të transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, të ngjashëm me Vatikanin.

Ideja për krijimin e shtetit Bektashi u paralajmërua më herët nga Rama në një intervistë për prestigjiozen amerikane “New York Times”, ku sipas Ramës qëllimi i këtij mikroshteti ishte promovimi i një Islami tolerant.

 

Të ngjashme