Alabama, ende në kërkim autorët që hapën zjarr duke lënë 4 të vrarë e 17 të plagosur

16:28 | 23 Shtator 2024
E.G

Autoritetet vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorëve të cilët hapën zjarr të shtunën në Birmingam, të Alabamas, duke lënë 4 të vrarë dhe 17 të plagosur. Dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me pagesë me objektiv një nga personat që ka mbetur i vdekur.

Ky është një prej disa rasteve të të shtënave në masë gjatë këtij viti në Birmingam dhe zyrtarët lokalë po bëjnë thirrje për ndihmë për të luftuar krimin dhe për të trajtuar problemin e dhunës me armë zjarri.

Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen, që la pas 4 të vdekur dhe 17 të plagosur. Autoritetet po vazhdojnë kërkimet për kapjen e autorëve të sulmit që u shënua në një zonë të njohur për jetën e natës në Birmingam të Alabamës, pak pas orës 11 të mbrëmjes së të shtunës, me orën lokale.

“Në sulm morën pjesë disa persona. Ata ndodheshin në një makinë, dolën prej saj, hapën zjarr dhe u larguan me shpejtësi”, tha Scott Thurmond, nga policia e Birmingamit.

Dy burra dhe një grua u vranë në vendngjarje, ndërsa i katërti humbi jetën në spital. Viktimat janë Anitra Holloman, 21 vjeç, Tahj Booker, 27 vjeç dhe Carlos McCain, 27 vjeç, të tre nga Birmingami. Ata u gjetën të vdekur në një trotuar, në zonën Five Point South, të Birmingamit, një zonë me bare dhe restorante shumë e parapëlqyer në fundjavë. Viktimat e katërt, ende nuk është identifikuar.

4 nga 17 të plagosurit ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën.

Autoritetet besojnë se bëhet fjalë për vrasje me pagesë dhe se personi që ka qenë objektiv është mes të vrarëve.

“Besojmë se individi që ishte objektiv i sulmi është në mesin e të vdekurve dhe se dikush ka paguar për vrasjen e tij. Këto janë të dhënat që kemi deri më tani, mund të ndryshojnë, ndërsa hetimet vazhdojnë”, tha Scott Thurmond nga policia e Birmingamit.

Ky është rasti i 23-të i të shtënave në masë në Shtetet e Bashkuara për vitin 2024, sipas ekspertit të kriminalistikës James Alan Fox. Tre nga rastet janë shënuar në Birmingam, përfshirë një sulm në shkurt, që la 4 të vdekur.

Autorët hapën zjarr nga një makinë dhe qëlluan në drejtim të një grupi njerëzish. Dyshimet janë se edhe në atë rast, objektiv ishte një nga personat që mbeti i vdekur.

Ngjarjet kanë shqetësuar banorët e Birmingamit dhe kanë nxitur autoritetet vendore të bëjnë thirrje për të luftuar krimin dhe për të trajtuar problemin në shkallë të gjerë të dhunës me armë zjarri.

“Zyrtarët e zgjedhur në nivel lokal, shtetëror dhe kombëtar kanë për detyrë të zgjidhin këtë krizë amerikane, këtë epidemi amerikane të dhunës me armë. Ne nuk duhet t’i autorizojmë njerëzit të të mbajnë armë që nuk duhen lejuar dhe që të qarkullojnë me to në rrugë. Nuk duhet të lejohet dhe pikë. Nuk më intereson cila është politika e tyre”, tha kryetari i bashkisë së Birmingamit, Randall Woodfin.

Policia njoftoi se gjeti rreth 100 gëzhoja në vendngjarje dhe se po hetohet për të zbuluar se çfarë armësh janë përdorur dhe nëse ka patur shkëmbim zjarri.

Autoritetet besojnë se në sulm u përdorën armë automatike./voa/

Të ngjashme