Ligjet ekzistuese që mbrojnë lirinë e fjalës në internet po vihen në pikëpyetje nga i gjithë spektri politik të Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, i hedh një vështrim qëndrimeve mbi këtë çështje nga kandidatja demokrate Kamala Harris dhe ai republikan Donald Trump.
Dy partitë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara kanë qëndrime të ndryshme për një sërë çështjesh, por ato janë dakord se kompanitë e mediave sociale duhet të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të tyre. Pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, pavarësisht se kush do t’i fitojë ato, mund të ketë ndryshim të ligjeve për mediat sociale.
“Nëse nuk kemi liri të fjalës, thjesht nuk kemi një vend të lirë.”
Në faqen e tij të internetit, republikani Donald Trump pretendon se e drejta e lirisë së shprehjes, e garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, po shkelet nga disa kompani të mediave sociale.
Pas sulmit të 6 janarit në Kapitol, vetë zoti Trump u ndalua përkohësisht të bënte postime në disa platforma të mediave sociale.
“Pas inaugurimit tim si president, do t’i kërkoj Kongresit të hartojë një projekt-ligj për ndryshmin e nenit 230, duke i hequr platformat e mëdha në internet nga biznesi i censurës.”
Neni 230, i cili është pjesë e ligjit të vitit 1996 mbi gjuhën e përdorur gjatë komunikimeve, ka qenë thelbësor në krijimin e internetit që është në funksion sot, thotë Brandie Nonnecke, drejtore e Qendrës mbi Politikat e Teknologjisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley.
“Në fakt, ky ligj i fuqizon platformat, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të mbikëqyrin dhe të heqin përmbajtjen pa u rrezikuar që të hidhen në gjyq. Tani dëgjojmë shpesh se Amendamenti i Parë është duke u shkelur nga këto platforma. Megjithatë, Amendamenti i Parë ka të bëjë me kufizimet ndaj lirisë së shprehjes nga qeveria. Platformat e mediave sociale janë subjekte private, që mbrohen nga Amendamenti i Parë”, thotë ajo.
Përpjekjet e mëparshme për të rishikuar nenin 230 kanë dështuar.
Pas pezullimit të llogarive të zotit Trump në Twitter në vitin 2021, Florida dhe Teksasi, dy shtete me shumicë republikane, miratuan ligje që kufizonin aftësinë e kompanive të mediave sociale për të mbikëqyrur postimet politike në platformat e tyre.
Por këto ligje u pezulluan këtë vit, kur Gjykata e Lartë vendosi që kompanitë e mediave sociale kanë të drejtë të marrin vendime editoriale pa ndërhyrjen e qeverisë.
Politikanë nga Partia Demokrate e kandidates Kamala Harris shpesh akuzojnë kompanitë e mediave sociale se lejojnë shumë fjalime të dëmshme në platformat e tyre.
Në vitin 2022, Nënpresidentja Harris krijoi një grup pune në Shtëpinë e Bardhë për trajtimin e këtij problemi.
“Urrejtja është bërë aq e zakonshme në internet sa që po normalizohet për shoqërinë dhe për përdoruesit, disa prej të cilëve mund të thonë se është bërë e pashmangshme.”
Tani për tani, e drejta e kompanive të mediave sociale për të kontrolluar përmbajtjen në faqet e tyre mbetet në fuqi, por për shumë politikanë dhe qytetarë amerikanë, kjo është ende një çështje e pazgjidhur./voa
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...